Trupat e NATO-s në Afganistan po ia transferojnë kontrollin e operacioneve luftarake në vend qeverisë afgane.

Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, duke folur në ceremoninë zyrtare, deklaroi se ky është një moment historik për vendin dhe se që nesër të gjitha operacionet për garantimin e sigurisë do të jenë në duart e ushtrisë dhe policisë afgane.

Ceremonia u zymtësua nga një sulm terrorist, që ndodhi para fillimit të saj në qendër të kryeqytetit afgan. Si rezultat i shpërthimit, i cili gjëmoi pranë ndërtesës së parlamentit, humbën jetën 3 persona dhe rreth 30 të tjerë u plagosën.