Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara njoftuan zyrtarisht fillimin e negociatave mbi zonën e tregtisë së lirë. "Sot është një ditë e veçantë për marrëdhëniet mes BE-së dhe SHBA-së. Ne njoftojmë startimin e negociatave për marrëveshjen mbi partneritetin transatlantik në fushën e tregtisë dhe investimeve", - deklaroi Presidenti i Komisionit Europian Jose Manuel Barroso të hënën në një konferencë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin britanik David Cameron dhe Presidentin amerikan Barack Obama në Samitin e "G-8" në Irlandën e Veriut.