Fotot e thesareve nga koleksioni i mrekullueshëm i Rudolf Nurejev mund të shihen në ekspozitën, e cila u hap në Moskë në Galerinë "Shtëpia e Nashjokinit" ("House Naschokina").

Në vitin 1961, pas përfundimit të turneut të Trupës së Baletit Kirov të Leningradit në Paris, solisti 23-vjeçar i saj Rudolf Nurejev kërkoi azil politik dhe qëndroi në Francë. Ai bëri një karrierë me të vërtetë marramendëse, spektakolare, u duartrokit furishëm nga publiku i impresionuar në të gjithë botën, atë e pagëzuan me emrin "perëndia e kërcimit". Për performancat e veta ai merrte honorare përrallore dhe shpenzonte shuma të mëdha për blerjen e mallrave luksoze.

Galeria fotografike

Mario Bois, botues muzikor dhe mik i ngushtë i Rudolf Nurejev, në kujtimet e veta dedikuar njërit prej kërcimtarëve më të famshëm të shekullit të njëzetë, e ka përshkruar në mënyrë të përsëritur pasionin e tij:

- Sa e mbaj mend atë, Nurejev gjithmonë mbetej pa një lek në xhep. Sepse sapo i binin në dorë para ai blinte menjëherë ndonjë vepër arti: pikturë, gravurë, statuetë bronzi... Ai adhuronte pëlhurat e rralla, mëndafshet e vjetër, qëndisjet e çmuara, qilimat luksozë. Në të gjitha këto përzgjedhje manifestohej qartë sensualiteti i tij oriental.

Rudolf Nurejev kishte disa shtëpi dhe secila prej tyre ishte, në kuptimin e plotë të fjalës, e mbushur plot e përplot me vepra arti. Shumë shtëpi evropiane dhe amerikane ankandi i dërgonin atij katalogët e mallrave të veta: në qoftë se atij i pëlqente piktura, ai ishte i gatshëm për ta blerë atë me çdo çmim, pa e vrarë fare mendjen nëse ishtë i justifikuar ai apo jo. Koleksioni i tij nuk mund të quhet kurrsesi sistemik, sepse pranë një kryevepre absolute në mur mund të vareshin tabllo fare mediokre të autorëve të panjohur. Por megjithatë ato i unifikonte një temë e përbashkët - më tepër se gjithçka Nurejevit i pëlqenin tabllotë, në të cilat pasqyroheshin trupa lakuriq meshkujsh.

Si rezultat apartamenti i tij parizian filloi të ngjasojë me magazinat e një muzeu të çuditshëm ekstravagant, ekzotik: të gjitha muret ishin të mbuluara plotësisht me piktura, të cilat ishin varur ngjitur me njëra-tjetrën, si gurë mozaiku.

Tre vjet pas vdekjes së Rudolf Nurejev të gjitha dekoracionet e mallrat luksoze të shtëpive dhe apartamenteve të tij u nxorrën në ankand. Koleksioni i famshëm i Nurejev pushoi së ekzistuari, por ai është mishëruar në fotografitë e shumta, të cilat mund të shihen në ekspozitën e hapur rishtas në Moskë. Ajo ofron mundësinë për të hedhur një vështrim në botën e mrekullueshme, të ndritshme dhe luksoze në të cilën ka jetuar balerini i famshëm.