0Sergei Lavrov në intervistën e vet dhënë për kanalin televiziv amerikan CBS ka kritikuar qëndrimin e Amerikës në Siri. Shtetet e Bashkuara, sipas fjalëve të tij, furnizojnë opozitën siriane me armatime të rënda artilerike dhe sisteme të mbrojtjes kundërajrore. Shtëpia e Bardhë e quan këtë "rivendosje të ekuilibrit të forcave ushtarake". Vetëm se rivendosjes së paqes një politikë e tillë, mendon Lavrov, nuk i shërben aspak. Kreu i MPJ-së ruse i vuri haptazi në pah SHBA-së karakterin e veprimeve të saj në Siri:

- Ju aplikoni politikën e standardeve të dyfishta: në arenën ndërkombëtare ju dënoni terrorizmin në të gjitha format e shfaqjes së tij, ndërsa në një shtet konkret retorika juaj ndryshon. Ju arsyetoni kështu: ne nuk na pëlqen ky drejtues shteti, prandaj që tani e tutje do ta quajmë atë diktator dhe do të përpiqemi ta përmbysim. Në një vend tjetër sundon gjithashtu një diktator, por ne nuk kemi asgjë kundër tij, sepse ai na vjen plotësisht për mide.

Intervistuesja Clarissa Ward u përpoq të hedhë poshtë argumentet e bashkëbiseduesit duke u shprehur se, gjoja, është Rusia ajo që furnizon armë në Siri për të mbështetur Bashar Al-Assad. Sulmit të saj verbal Lavrov iu përgjigj me qetësi: këto dërgesa armësh realizohen në kuadër të zbatimit të kushteve të kontratave të lidhura që prej kohësh mes Rusisë dhe Sirisë. Dhe në përgjigje të pyetjes së drejtpërdrejtë të Clarissa Ward: nëse mbështet vallë Rusia "Presidentin diktator Bashar Al-Assad, i cili hedh bomba mbi kokat e banorëve paqësorë", Lavrov theksoi në mënyrë të përsëritur se Rusia nuk mbështet askënd, ajo del vetëm për fillimin sa më të shpejtë të negociatave në Gjenevë, të cilat janë transferuar rishtas për një kohë të pacaktuar:

- Ne nuk jemi aspak pro Presidentit Bashar Al-Assad. Ne jemi për një opozitë të tillë, e cila mendon për vendin e vet dhe është e gatshme për kompromis.

0Sipas mendimit të Sergei Lavrov, në Siri ka opozitarë shumë më mendjehapur, të moderuar dhe më konstruktivë, politikanë të përgjegjshëm, të cilët i bashkon jo vetëm thirrja për ndryshimin e regjimit. Ata janë të gatshëm të ulen në tryezën e bisedimeve, dhe Rusia do t’i mbështesë ata, meqenëse pikërisht ata do të mund të zgjidhin problemin më të rëndësishëm - të ndalojnë gjakderdhjen në Siri.