0Në SHBA shkencëtarët kanë propozuar për këtë qëllim shfrytëzimin e zhvillimeve të së ashtuquajturës "Iniciativë Asteroide", në mënyrë që të mos krijohet posaçërisht për këtë një program i veçantë.

Ndërsa ne do të përmendim projektet përkatëse ruse: "Mars-Grunt" dhe "Phobos-Grunt-2" - aparati i lehtësuar dytësor, prototip i atij që dështoi në realizimin e misionit të vet. Mbi objektivat e tyre flasin qartë vetë emrat. Misioni i europianëve “Phootprint” ka si pikësynim Phobos-in, edhe pse opsion rezervë mund të jetë për të sateliti i dytë i Marsit - Deimos.

Kurse tani do të flasim në lidhje me “Iniciativën Asteroide” (AI) dhe si të përshtatet ajo për Marsin. AI parashikon “kapjen, peshkimin” e trupit të vogël qiellor me një "thes" të veçantë, i cili do të instalohet në aparatin kozmik me motor jon. Misioni i tij do të jetë rimorkimi dhe nxjerrja e "gurit" në orbitë rreth Hënës. Po atje, jo para vitit 2021, do të mbërrijë anija e pilotuar "Orion". Në sipërfaqen e "gurit" të kapur do të ulen astronautët. Në kuadrin e zbatimit të konceptit AI sjellja në Tokë e dheut nga Marsi do të realizohej në mënyrë të tillë. Në Planetin e Kuq aterohet Mars Rover (roboti eksplorues i Marsit) dhe mbledh mostra të dheut deri vitin 2020. Po atje ulet edhe një i dytë, me raketë. Pas "takimit (rendezvous)" raketa me kapsulën starton dhe del në orbitën rreth Marsit, ku me të do të takohet binjaku i "transportuesit" jon. Ai e sjell ngarkesën në orbitën hënore. Drejt tij fluturojnë astronautët me anijen e pilotuar "Orion" dhe marrin kapsulën. Vërtetë, para se të sillet në Tokë, dheu marsian fillimisht do të dërgohet në bordin e Stacionit Kozmik Ndërkombëtar (SKN apo ISS) për të verifikuar praninë e bakterieve në të. Shkencëtari rus Andrei Jonin nuk e konsideron aspak të tepërt apo të panevojshme këtë masë:

- Janë zbuluar shenja të asaj, se në Mars dikur ka patur ujë të përshtatshëm për jetën e organizmave të gjalla. Kurse kjo do të thotë se mund të ekzistojë rreziku potencial biologjik. Depërtimi në Tokë i formave krejtësisht të tjera të jetës do të ishte një rrezik krejtësisht i pajustifikuar. Ai duhet reduktuar. Prandaj një qasje e tillë me shumë etapa ndaj zgjidhjes së kësaj çështjeje është mëse e justifikuar.

Megjithëse realizimi i uljes në asteroid vazhdon të mbetet një prioritet për Shtetet e Bashkuara në kozmos, numri i kundërshtarëve të këtij synimi po vjen duke u rritur madje dhe në NASA. Argumentet e tyre janë si më poshtë vijon: "ngecja" e njerëzve në trupin e asteroidit nuk do të japë përvojë të vlefshme për misionet e ardhshme në Mars. Më shumë gjasa ka që atë ta japë Hëna. Një vlerë të dyshimtë shkencore ka edhe marrja e mostrave nga asteroidi, pasi në Tokë janë mbledhur mijëra copa të rëna nga "vëllezërit" e tij. Një prej këtyre fragmenteve peshon 60 ton. Atë e ka gjetur një fshatar afrikan.

Megjithatë drejtimi marsian po zhvillohet në mënyrë mjaft të vrullshme tani dhe në vitet e ardhshme mund të priten shumë projekte interesante.