0Hapi i parë për normalizimin e situatës në Gadishullin Korean është bërë nga Pheniani në mes të javës së kaluar: Komiteti për bashkimin paqësor të Koresë publikoi një njoftim, në të cilin i bëri thirrje koreanojugorëve për t’u ulur në tryezën e bisedimeve. Temë kryesore e tyre duhet të bëhet rivendosja e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve si dhe rinisja e udhëtimeve turistike të banorëve të Koresë së Jugut në zonën malore Kumgang të Koresë së Veriut. Situatën e krijuar e komenton Drejtori i programeve kërkimore Koreane të Institutit të Ekonomisë të Akademisë së Shkencave të Rusisë, Georgi Tolloraja:

- Tani Pheniani vendosi të kalojë në taktikën e ofensivës paqësore dhe t’i drejtohet Seulit me iniciativën e fillimit të negociatave. Dhe është pozitiv fakti që Seuli nuk ka vënë kushte për kërkimin e ndjesës apo nuk ka nxjerrë ndofarë pretekstesh të tjera, por ra menjëherë dakord për të negociuar. Pheniani, nga ana e vet, gjithashtu bëri një koncesion duke rënë dakord për të negociuar në nivel qeveritar, çka është fort e rëndësishme për Seulin, pasi në vitet e fundit Pheniani pikërisht ka refuzuar për të pasur ndofarë marrëdhëniesh me qeverinë e Koresë së Jugut.

Megjithatë, madje edhe vetë përgatitja për takimin e ardhshëm ministror nuk ka shkuar pa probleme. Negociatorët nuk arritën të bien dakord në lidhje me tekstin e deklaratës përfundimtare. Përfaqësuesit e Koresë së Veriut kanë insistuar në atë, se agjenda e bisedimeve duhet të përfshijë diskutimin e festimit të përbashkët të përvjetorit të 13-të të Samitit të parë historik të Veriut dhe Jugut. Fjalë bëhet për takimin në vitin 2000 të Presidentit të Koresë së Jugut, Kim Dae-Jung dhe Udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Il. Pikërisht atëhere dhe u nënshkrua Deklarata e Përbashkët, e cila sot konsiderohet si dokumenti themelues në çështjet e bashkimit të dy Koreve. Por përfaqësuesit e Seulit e panë të arsyeshme të konstatojnë se fillimisht palët duhet të zgjidhin çështjet më të ngutshme, thotë eksperti rus Eugjeni Kim:

- Koreja e Jugut në versionin e saj (ata nuk mundën të merreshin dot vesh kurrsesi në lidhje me këtë temë) ka përcaktuar temat e negociatave, të cilat do të mbahen më 12 dhe 13 qershor - këto janë çështjet që kanë të bëjnë me zonën e përbashkët industriale Kaesong, udhëtimet turistike në malin Kumgang dhe takimet e familjeve të ndara. Pjesa tjetër është përmendur si "çështje të tjera". Koreja e Veriut i ka përfshirë gjithashtu në versionin e saj të gjitha këto çështje, por në të njëjtën kohë theksoi se ajo do të diskutojë edhe çështjen e jubileve. Si dhe kontaktet serioze ndërmjet organizatave jo-qeveritare të të dy vendeve.