Përmbytjet, të cilat po vazhdojnë për të dytën javë radhazi në Gjermani, kanë arritur deri në veri të vendit.

Në qytetin e Lauenburgut, i cili shtrihet përgjatë bregut të lumit Elba, është shpallur niveli më i lartë i rrezikut, ai i katërti. Uji mund të arrijë nivelin kritik në Hamburg.

Pritet që përmbytjet në zonën e Lauenburgut të jenë më të fuqishme se ato të vitit 2011, kur uji arriti nivelin 9.23 m. Sipas parashikimeve, të enjten pritet që niveli i ujit të arrijë deri në 10.15 m.

Në Hamburg, qyteti i dytë më i populluar në Gjermani, sinjali i alarmit nuk është shpallur ende. Në fund të javës së kaluar autoritetet e qytetit deklaruan se rritja nivelit të ujit në këtë qytet nuk do të jetë shumë e madhe dhe se digat mbrojtëse do të jetë në gjendje ta frenojnë atë.