Kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili u kthye urgjentisht nga udhëtimi i ndërmarrë në vendet e Afrikës së Veriut, u bëri thirrje demonstruesve në të gjithë vendin të ndërpresin protestat kundër qeverisë.

Duke folur para një turme mbështetësish, që e pritën atë në aeroportin e Stambollit, Kryeministri turk tha se protestat, të cilat filluan javën e kaluar, janë shkelje e ligjit.

Më parë, ndërsa ndodhej në Tunizi, ai tha se qeveria nuk ka ndërmend të heqë dorë nga planet e realizimit të projektit të ndërtimit në Parkun "Gezi" të Stambollit, çka është edhe shkaku kryesor i shpërthimit të protestave masive.