E ashtuquajtura "Paketa e Tretë e Energjisë", që vepron aktualisht në territorin e Bashkimit Europian, i lejon "Gazprom-it" ta shfrytëzojë gazsjellësin "Nord Stream" ("Rryma Veriore") vetëm me gjysmën e kapacitetit të tij, njoftoi Zv. Kryetari i Bordit drejtues të kompanisë monopole të gazit rus, Aleksandër Medvediev.

Sipas mendimit të tij, "Gazprom-it" i nevojitet një akses i pakufizuar në gazsjellësin OPAL që lidh pikën e fundit të tubacionit "Nord Stream" në bregdetin Balltik të Gjermanisë me Republikën Çeke. Mirëpo "Paketa e Tretë e Energjisë" i ndalon kompanive të mëdha të gazit të kontrollojnë sistemet e transportimit të gazit.