0Si rregull, aksione të tilla proteste nuk kalojnë pa pasoja serioze për jetën socio-politike të vendit në të cilin ato ndodhin. Po me çfarë pasojash do të përballet Turqia pas këtyre demonstratave masive? Mendimin e vet në lidhje me këtë e shprehu për Radiokompaninë "Zëri i Rusisë" ish-Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Financave i Turqisë, Abdullatif Sener (

Abdüllatif Şener)

0:

- Para së gjithash, duhet të theksohet se këto veprime janë të drejtuara kryesisht kundër formës anti-demokratike të qeverisjes aktualisht ekzistuese në Turqi. Tashmë që prej disa vitesh në Turqi, në fakt, janë kufizuar ndjeshëm liritë themelore. Nuk ka liri të shtypit. Dhe ajo që ne po vërejmë tani në vend është reagimi i qytetarëve të vendit ndaj metodave anti-demokratike të qeverisjes së autoriteteve pushtetore.

Pakënaqësia e akumuluar popullore përshkallëzoi në zemërim të madh dhe vërshoi në rrugë. Dhe përsëri vërehet po e njëjta gjë. Me përjashtim të një apo dy kanaleve televizive, pjesa më e madhe e transmetuesve televizivë turq i injoruan këto aksione proteste ose u përpoqën t’i linin në heshtje apo t’i anashkalonin ato. Ndërkohë, qytetarët e vendit nëpërmjet Internetit mundën të shihnin demostratat e përhapura në të gjithë territorin e Turqisë. Njerëzit panë se si policia me anë të makinave të blinduara, gazit lotsjellës dhe topave të ujit shtyp ashpërsisht mitingjet paqësore të qytetarëve.

Populli ynë pikërisht këto ditë ka arritur të perceptojë qartë se në çfarë bllokade të fuqishme informacioni është ndodhur ai gjatë gjithë kësaj kohe. Autoritetet po humbasin kredibilitetin e tyre. Se me çfarë pasojash do të jetë e mbarsur e gjithë kjo stuhi protestash, tani për tani është vështirë të parashikohet. Por fakti që ne jemi tani në prag të ndryshimeve të mëdha - është jashtë çdo dyshimi.

Zv.kryeministri turk Bulent Arinç, në emër të qeverisë, u kërkoi falje protestuesve për përdorim të tepruar të forcës nga ana e autoriteteve. Megjithatë, njerëzit vazhdojnë të kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe Kryeministrit Rexhep Tajip Erdogan dhe presin pikërisht nga ky i fundit që të kërkojë ndjesë publikisht. Po është vallë i gatshëm Kryetari i qeverisë Erdogan për të bërë lëshime?

0- Duke gjykuar nga deklaratat e fundit të Kryeministrit, ai nuk ka ndërmend tani për tani të bëjë kurrfarë lëshimesh. Madje më tepër se kaq, nga qeveria kanë telefonuar në të gjitha kanalet dhe redaksitë e gazetave duke dhënë udhëzime se çfarë dhe në ç’mënyrë duhet pasqyruar në media. Një sjellje e tillë sugjeron se qeveria as që ka ndërmend të ndryshojë qëndrimin e vet. Në një mjedis normal demokratik Kryeministri Erdogan nuk do të arrinte kurrë të fitonte në zgjedhjet parlamentare. Ai fitoi vetëm se reduktoi gradualisht nivelin e demokracisë në vend dhe eliminoi plotësisht lirinë e shtypit. Por tani sistemi i formuar prej tij ka filluar të dekompozohet. Qeverinë dhe Erdogan i presin ditë të vështira.