Mesi i viteve '90-të. Në Afganistan në pushtet janë talebanët. Sillen në mënyrë të çuditshme ata, por megjithatë përveç bashkëqytetarëve të tyre nuk kanë ndërmend të prekin askënd. Edhe ata, në përgjithësi, askush nuk i prek. Por në vitin 1996 në Afganistan vjen Osama bin Laden me kolegët e vet nga “Al-Qaeda”. Shumë shpejt pas kësaj mysafirët i bëjnë të zotërve të shtëpisë një surprizë fort të pakëndshme: më 7 gusht të vitit 1998 organizojnë një shpërthim të dyfishtë pranë ambasadave të SHBA-së në Nairobi të Kenias dhe në Dar es Salaam të Tanzanisë. Rezultati: qindra të vrarë dhe mijëra të plagosur. Pas kësaj mbi Afganistanin vërshojnë raketat amerikane kruz, por talebanët fisnikërisht refuzojnë të ekstradojnë në SHBA "Terroristin № 1", i cili dhe i vuri nën këto goditje ata. Osama nuk është aspak sentimental. Më 11 shtator të vitit 2001 me sulmin masiv të ndërmarrë ndaj Shteteve të Bashkuara ai e dënon vendin, i cili e strehoi atë dhe organizatën e tij, me vdekje të sigurtë. Tani talebanët tepër mikpritës do të duhet të fillojë gjithçka nga e para - por vetëm pas tërheqjes së trupave amerikane nga vendi në vitin 2014.

Pranverë e vitit 2012. Mali. Lëvizja e Tuaregëve për ndarjen e pjesës veriore të vendit i ka të gjitha shanset për të arritur pavarësinë. Qeveria qendrore ndodhet në kolaps të plotë, ushtria e vogël është e paaftë për të luftuar. Tuaregët po zaptojnë të gjitha qendrat e mëdha të populluara në veri dhe po përgatisin kushtet e veta për ndarjen e vendit. Dhe ja këtu shfaqet pa pritur e pa kujtuar grupi "Al-Qaeda në Magrebin Islam" (Al - Qaeda Islamic Magreb,AQIM). Ai hyn në konflikt me Tuaregët dhe i dëbon ata nga të gjitha territoret e pushtuara prej tyre të vendit. Dhe pas kësaj ndodh diçka shumë e çuditshme: në fillim të vitit 2013 një koalicion i xhihadistëve nis marshimin vetëvrasës drejt kryeqytetit të vendit, Bamako. Ata e dinë për mrekulli se Franca i ka shpallur luftë “Al-Qaeda-s”, se ajo ishte përgatitur që prej kohësh për një operacion ushtarak kundër militantëve në Mali dhe se ishte në pritje vetëm të shkasit për këtë. Si përfundim pas operacionit gjashtëmujor ushtarak në Mali u vranë rreth një mijë xhihadistëve, kurse Tuaregët, të cilët ishte aq afër pavarësisë, mund ta harrojnë tani fare atë.

Së fundi, viti 2013. Siria. Në mes të majit rebelët e rrethuar në qytetin e Quseir filluan të ankohen për reduktimin e mprehtë të furnizimit të armëve nga jashtë. Për arsyen e kësaj nuk është e nevojshme të vritet shumë mendja. Siç njofton BBC, “Katari dhe vende të tjera kanë pezulluar kohët e fundit dërgesat e armëve, me sa duket, për të respektuar kushtin e vënë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës: të mos lejohet të fitojë ai grup i rebelëve, në të cilin luan rol udhëheqës "Fronti al-Nusra" i lidhur me “Al-Qaeda-n“. Në fund të majit OKB-ja e përfshiu "Frontin" në listën e organizatave terroriste dhe imponoi ndalimin për furnizimin e tij me armë.

Ndërkohë që "Fronti" ishte një nga grupet kryesore të opozitës së armatosur siriane, i cili shquhej për aftësitë e veta luftarake dhe disiplinën e rreptë. Por në prill të këtij viti, kur pjatat e peshores në konfliktin sirian ngrinë në një ekuilibër të paqëndrueshëm, udhëheqësi i "Fronti al-Nusra", Ebu Muhammed el-Golani, krejt papritur iu betua publikisht për besnikëri Kreut të tanishëm të “Al-Qaeda-s”, Ayman al-Zawahiri. Rezultati është fare evident. Më 5 qershor trupat qeveritare e morrën përfundimisht nën kontroll qytetin e Quseir. Lavjerrësi i suksesit ushtarak mori anën e ushtrisë së Bashar Al-Assadit.

Në përgjithësi, ekziston njëfarë misteri në veprimet e “Al-Qaeda-s”. Dhe njeriut me logjikë të zakonshme nuk i jepet ta zgjidhë atë.