0Më mirë se gjithçka mbi Eugjeni Rein flasin disa nga faktet e biografisë së tij. Ai është njëri nga nxënësit dhe pasuesit e poetes së madhe ruse Anna Ahmatova (Anna Akhmatova). Ndërsa, Rein-in, nga ana e vet, e quante si mësuesin e tij laureati i çmimit Nobel Josif Brodskij (Joseph Brodsky). Lidhja e thellë me krijimtarinë e Aleksandër Pushkinit është gjithashtu pjesë e biografisë së Eugjeni Rein:

- Unë jam rritur në një familje, në bibliotekën e së cilës ka pasur disa përmbledhje të veprave të Pushkinit, dhe sapo mësova të lexoj nisa të lexoja Aleksandër Pushkinin. Pastaj, kur fillova të shkruaj poezi, aty nga mosha 12 vjeçare, unë nisa të adhuroja edhe poetë të tjerë, ndërsa pas njëfarë kohe iu riktheva tërësisht e me përkushtim Pushkinit. Ai është një poet i madh, i jashtëzakonshëm, krejtësisht i pashtershëm dhe mësuesi ynë i përjetshëm!

Pushkini krijoi gjuhën letrare ruse dhe e gjithë e letërsia ruse është vlerë, madhësi "e prejardhur nga Pushkini". Megjithatë ekziston një veçori e çuditshme, e pakuptueshme, e cila vihet në pah nga Eugjeni Rein:

- Tradita e Pushkinit sikur nuk ka gjetur shprehi në letërsinë ruse. Kë njohim ne nga poetët pushkinianë? Me përjashtim të Lermontovit, në një farë kuptimi. Ekzistojnë shkolla e Majakovskit, shkolla e Nekrasovit, ndërsa shkollë të Pushkinit nuk ka.

Shkrimtari i madh Fjodor Dostojevski, mund të thuhet, rrënjosi traditën e konceptimit të Rusinë nëpërmjet krijimtarisë së Pushkinit. Sot, natyrisht, vetëm Pushkini është i pamjaftueshëm për të kuptuar Rusinë, tha Eugjeni Rein:

- Natyrisht që nuk është e mjaftueshme, sepse tablloja ruse e fokusimit, perceptimit të botës është jashtëzakonisht e madhe. Sepse kanë rrjedhur shumë ujëra që nga ajo kohë, kanë dalë në dritë vepra të mrekullueshme letrare, ka avancuar jeta sociale, shkenca. Ne kemi akumuluar një përvojë shumë më të madhe se sa bashkëkohësit Pushkinit ... Por a e dini, Gogol ka thënë se Pushkini do të mbetet rus edhe pas 200 vjetësh!

0Është për të ardhur keq, por, me sa duket, klasiku i letërsisë ruse, Nikollai Gogol, doli i gabuar në parashikimin e vet. Sepse edhe sot e kësaj dite me Pushkinin nuk mund të krahasohet ende askush. Ndërsa magjia e fjalës pushkiniane vazhdon të ketë efektin e saj magjik.