Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit Amerikan, e cila kontrollohet nga republikanët, të martën u shpreh kundër planeve të Administratës së Presidentit Obama për mbylljen e burgut të posaçëm për terroristët në bazën ushtarake Guantanamo në Kubë.

Me shumicë votash kongresmenët refuzuan amendamentin e projektligjit për shpenzimet e ndërtimit të objekteve ushtarake për vitin fiskal 2014, i cili parashikon akordimin e fondeve për transferimin e të burgosurve nga Guantanamo në burgjet e tjera amerikane. Në mbështetje të këtij propozimi, të përgatitur nga Kongresmeni demokrat James Moran, votuan 169 bashkëpartiakë të tij. Kundër votuan 254 republikanë dhe 25 demokratë.