Shkarko audiofailin

Njoftimet që vijnë nga Republika Çeke ngjasojnë me buletinet e përditshme të lajmeve nga frontet e luftës. "Niveli i ngritjes së ujit në lumin Vltava do të arrijë kulmin e vet të martën në mëngjes". "Viktimë e përmbytjes u bë një punonjës i kompanisë energjetike". "Rrugën hekurudhore në Melnik e kërcënon shkatërrimi i digës dhe përsëritja e përmbytjes së tmerrshme të vitit 2002".

Mos vallë me të vërtetë të gjitha këto njoftime janë kaq katastrofike?

Ne i telefonuam Kryeredaktorit të versionit elektronik të gazetës së Pragës "Halo noviny", Roman Janouch. Ja se çfarë tregoi ai për Radiokompaninë “Zëri i Rusisë”:

- Situata nuk është aq dramatike siç mund të duket në vështrim të parë. Po, me të vërtetë, në Pragë është kufizuar lëvizja e tenave përgjatë linjave të metrosë, janë korrektuar itinerarët e qarkullimit të transportit tokësor urban. Janë përmbytur disa lagje në zonat e banuara përreth lumit Vltava. Por nuk ka asnjë rrezik kërcënues për jetën e njerëzve ....

Galeria fotografike: Shirat kanë përmbytur Evropën

Ndërsa ne kemi marrë njoftime për 5 persona që kanë humbur jetën ...

Deri në këtë moment unë jam në dijeni vetëm për katër viktima, por ata nuk ishin banorë të Pragës.

Evakuimi i njerëzve është në vazhdim e sipër?

Kryesisht evakuimi i banorëve po bëhet nga fshatrat që ndodhen ngjitur me Pragën, dhe atje ku lumi i rrëmbyer Berounka derdhet në Vltava. Në qytetin tonë janë evakuuar banorët e rajonit Karlín, i cili është përmbytur keq. Por njoftimet e shumta mbi evakuimet në masë të njerëzve unë personalisht i konsideroj si një dëshirë të madhe për të përfituar një pjesë të atyre mjeteve financiare nga Fondi i Solidaritetit, të cilat do të jepen prej Bashkimit Evropian për likuidimin e pasojave katastrofike të përmbytjeve madje edhe në Gjermani dhe Austri. Ata që e pësuan me të vërtetë më keq nga të gjithë prej përmbytjeve janë, pa asnjë diskutim, gjermanët. Passau pothuajse u ndodh i tëri nën ujë. Thonë se një fatkeqësi e tillë katastrofike natyrore nuk mbahet mend që nga shekulli i XV-të!

Galeria fotografike: Përmbytjet në Bavari

A nuk i duhet vallë Republikës Çeke ndihma e Rusisë, të cilën ajo tashmë e ka ofruar bujarisht në vitin 2002? Ne kemi, meqë ra fjala, ekipe të shkëlqyera shpëtuesish në Ministrinë e Situatave të Jashtëzakonshme ...

Unë mendoj se të gjitha rajonet e prekura do të jenë vetëm mirënjohëse për çdo lloj ndihme që do t’u ofrohet atyre. Ndërsa Pragës nuk besoj t’i nevojitet ajo, ne do të përpiqemi t’ia dalim mbanë punës me pasojat e përmbytjeve me forcat tona.

A janë dëmtuar shumë momumentet historike dhe kulturore?

0Në këto momente ne po publikojmë pikërisht një fotoreportazh nga ishulli piktoresk i famshëm Kampa në rrjedhën e lumit Vltava. Mund të shihet se si niveli i ujit është ngritur ndjeshëm përreth tij, por muzetë e shumtë të ishullit të mrekullueshëm vazhdojnë të punojnë dhe, fatmirësisht, nuk kanë përfunduar nën ujë. Dhe gjithkund në territorin e tij të zë syri shumë njerëz. Turistët dhe qytetarët e zakonshëm kanë dalë me kamera në dorë në breg për të fiksuar nivelin maksimal të ngritjes së ujit. Ja, pra, një lloj i tillë turizmi - me përmbytjet... Sigurisht, gjendja e krijuar është shumë e trishtueshme. Sepse në të vërtetë ka rajone krejtësisht të përmbytura, si ai që ndodhet, për shembull, ngjitur me lumin Kocába, ka shtëpi të shkatërruara, njerëz që kanë humbur jetën dhe, së fundi, është territori i ish-Republikës Demokratike Gjermane, ku uji me një shpejtësi alarmuese po vjen duke fituar vrull. Uji i madh sjell me vete gjithmonë të këqija të mëdha.