0Udhëheqësit e Rusisë dhe Bashkimit Evropian shpresojnë shumë se Siria do t’i japë preferencë rrugës diplomatike të zgjidhjes së situatës së mbarsur me krizë serioze në vend. Për këtë qëllim Moska dhe Brukseli kanë ndërmend të vazhdojnë punën për përgatitjen e konferencës ndërkombëtare mbi Sirinë.

Vladimir Putin, Herman Van Rompuy dhe Jose Manuel Barroso e kanë diskutuar jo një ditë situatën e krijuar në Siri. Rusia i ka shprehur pretendimet e saj BE-së në lidhje me faktin e anulimit të ndalimit (embargos) të shitjes së armëve opozitës siriane. Kurse BE-së i janë grumbulluar ndaj Rusisë pyetjet që kanë të bëjnë me çështjen e shitjes së komplekseve raketore ruse të mbrojtjes kundërajrore “S-300” (russ.“C-300”) Qeverisë siriane. Vladimir Putin iu përgjigj edhe njëherë atyre:

- “S-300” është një prej sistemeve më të mira raketore të mbrojtjes kundërajrore në botë. Kontrata qe nënshkruar disa vite më parë dhe nuk është zbatuar ende - ne nuk duam të prishim ekuilibrin në rajon.

Por çështja kryesore siriane aktualisht është kjo: A do të mbahet vallë konferenca ndërkombëtare mbi Sirinë? Hapat e fundit të BE-së e vënë në dyshim zhvillimin e saj. Presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuy, nxitoi të kujtojë se edhe pse BE-ja nuk e ka zgjatur embargon, disa vende kanë vendosur të mos furnizojnë armë në Siri për t’i dhënë shans zhvillimit të procesit negociator.

Në Gjenevë i mirëpresin të gjithë ata që janë dakord për dialog. Por në Siri ka dhe forca të tilla që nuk janë aspak gati për ta bërë këtë, vuri në dukje Vladimir Putin:

- Pak kohë më parë në televizion u transmetuan kuadro, në të cilat militantët e opozitës së armatosur u shkulnin organet e brendshme kundërshtarëve të tyre dhe i hanin ato. Unë shpresoj shumë se të tillë njerëz nuk do të marrin pjesë në konferencën në Gjenevë. Përndryshe, unë do ta kem të vështirë për të garantuar sigurinë e pjesëmarrësve ruse në të, po ashtu si dhe për të ardhur vetë atje.

Siria ka spostuar tashmë në plan të dytë edhe çështjet tradicionale për takime të tilla. Për disa vite me radhë në plan të parë kanë qenë tema të tilla si tregtia, furnizimet e naftës dhe të gazit, anulimi i regjimit të vizave midis Rusisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian. Sigurisht këtu ekzistojnë probleme, por pa të tilla nuk mund të bëhet. Ato janë krejtësisht të natyrshme, tha në një konferencë për shtyp pas përfundimit të Samitit BE-Rusi Presidenti Putin.

Të flitet mbi udhëtimet pa viza në kryeqytetin e Uraleve - i cili ndodhet në kufirin mes Evropës dhe Azisë - është veçanërisht simbolike. Udhëheqësit e BE-së janë fort mirë në dijeni të karakteristikave gjeografike të Ekaterinburgut. Dhe ata sugjeruan që Malet Urale të mos quhen më kufi, por urë bashkuese mes Evropës dhe Azisë. Në bisedimet e zhvilluara, sipas fjalëve të tyre, negociatorët gjithashtu ngritën urat e bashkëpunimit.

0Vëmendjes ndërkombëtare i gëzohen në Ekaterinburg. Tani qyteti është duke luftuar për të drejtën e pritjes së Ekspozitës Botërore të vitit 2020. Atë çka do t’i demonstrohet Komisionit të Vlerësimit të Byrosë Ndërkombëtare të Ekspozitave tashmë e kanë parë Vladimir Putin, Herman Van Rompuy dhe Jose Manuel Barroso. Faza e ardhshme kualifikuese për qytetet kandidate do të zhvillohet javën e ardhshme në Paris.