0Amina u arrestua më 19 maj në momentin kur ajo shkroi fjalën "FEMEN" në murin e varrezave myslimane. Ajo u akuzua për përdhosje të varreve dhe sjellje të pamoralshme. Por veprimet e saj shkaktuan një reagim shumë të bujshëm përtej kufijve të Tunizisë.

Historiania dhe shkrimtarja (vetëm kështu, në gjininë femërore!), pjesëmarrësja e lëvizjes feministe me përvojë 40 vjeçare, Florence Montreynaud, pranoi të komentojë veprimet e Amina-s:

- Mua më duket mjaft interesant krahasimi i Amina-s me Zhanë d’Ark (Jeanne d'Arc). Në të dyja rastet ne shohim një grua të vetme, një të vetme kundër të gjithëve. Kjo e dallon aktin e Amina-s nga aksionet feministe të kësaj natyre të dekadave të fundit, ku ne gjithmonë shohim një grup të vogël. Ajo e vë veten në rrezik të pabesueshëm. Askush nuk duhet këshilluar që të rrezikojë kështu, duke ndjekur, imituar veprimet e saj.

Performanca e Amina-s të kujton fjalën e Zhanë d’Ark vetëm me një ndryshim të vogël: ajo nuk është e veshur me parzmoren (armaturën) e kalorësit, si Virgjëresha e Orleanit, Amina zbulon lakuriqësinë e trupit të saj. Sigurisht ekzistojnë mënyra të ndryshme për të vlerësuar veprimtarinë e lëvizjes "FEMEN", por duhet të pranojmë megjithatë se aktivistet e saj i kanë dhënë gjinjve të zhveshur të femrës një kuptim krejtësisht tjetër nga ai tradicional, i pranuar në qytetërimin evropian - gjirit që ushqen me qumësht fëmijën, apo gjirit erotik. Ato rikthyen kuptimet, origjina e të cilave e merr fillesën e vet në mitologjinë antike. Mund të përmendet gjithashtu si shembull tablloja e famshme "Liria në barrikada" (ndryshe “Liria prin vegjëlinë”) e piktorit Eugene Delacroix - veshja e grisur, e shqyer e heroinës, por ajo nuk ka kohë për tu marrë me rregullimin e saj, sepse gjëja kryesore për të është beteja.

Amina rrezikon jetën e vet për të na mbrojtur ne, burrat dhe gratë e vullnetit të mirë, të cilët besojnë në një botë më të mirë. Në botën ku gratë do të kenë të drejta të barabarta me burrat, ku do të vishen si të duan, do të ketë të drejtë të barabartë për ndjenjat dhe të shprehurit e tyre.

Ku i gjen forcat feministja për t'i rezistuar, për t’i bërë ballë botës së jashtme? Florence Montreynaud mendon:

0- Tiparet dalluese të shumë aktivisteve të lëvizjes feministe - paqja, qetësia e brendshme dhe besimi i patundur në vetëvete - janë dëshmi të asaj se ato veprojnë duke u mbështetur në bindjen e vet të patundur se rruga e tyre është e vetmja e drejtë. Historia njeh shumë shembuj të tillë: Nelson Mandela, Martin Luther King, Indira Gandhi e kështu me radhë ... Ne vërejmë patrazueshmërinë, gjakftohtësinë e plotë me të cilën ato i perceptojnë të gjitha ngjarjet. Veprimet e tyre janë të mbushura me paqe shpirtërore. Ndërsa kjo do të thotë se ato synojnë drejt së Vërtetës.