0Dëshira e qytetarëve rusë për t’u vetëpërsosur nga ana profesionale mund të bëhet një nga stimujt kryesorë për ndryshime pozitive në ekonominë e vendit, vënë në dukje ekspertët.

Në sondazhin e titulluar Kelly Global Workforce Index u përfshinë 120.000 njerëz nga 32 vende të botës, duke përfshirë dhe më shumë se 5000 rusë. Pas analizimit të të dhënave të përftuara u gjet se 92% e të anketuarve nga Rusia besojnë se njohuritë e reja mund t’i ndihmojnë ata në ngjitjen e shkallëve të karrierës. Në listën e kompanisë Kelly Services mbas Rusisë renditet Tajlanda, ndërsa pas saj Meksika dhe Brazili. Në përgjithësi, dhjetëshja e parë pothuajse tërësisht përbëhet nga vendet në zhvillim apo të ashtuquajturat shtete të industrializuara rishtas. Kjo është rregullsi, mendon përfaqësuesi i Kelly Services Dimitri Kosov. Sipas pikëpamjes së tij, njerëzit në ekonomitë në zhvillim tani i kushtojnë më shumë vëmendje rritjes së aftësive të tyre profesionale, në një kohë kur banorët e vendeve të zhvilluara preokupohen, para së gjithash, për disponueshmërinë e kohës së lirë dhe mundësinë për t’iu përkushtuar më shumë familjes.

Shumica e të anketuarve rusë duan të mësojnë, të kualifikohen për të marrë një pozitë më të lartë në punën aktuale, për t’u rregulluar në ndonjë punë më mirë të paguar apo për të ndryshuar fushëveprimin e aktivitetit të vet. Përafërsisht 26% e të anketuarve i lidhin aftësitë e reja të fituara me mundësinë e hapjes së biznesit të tyre. Kjo, sipas mendimit të Dimitri Kosov, është tipar dallues i rusëve:

- Ky është padyshim një tregues mjaft i lartë. Në sondazhet tona të ndryshme ne kemi fiksuar se punonjësit e kompanive në Rusi dallohen në sfondin e bashkëpunëtorëve nga rajone të tjera të botës se zënë një pozitë shumë më aktive në aspektin e pikësynimit të hapjes së biznesit të vet. Sigurisht, duhet të merret parasysh edhe fakti se jo të gjithë ata që shprehin synimin do të jenë në gjendje për të hapur biznesin e vet.

Ekspertët theksojnë se dëshira e rusëve për zhvillimin e aftësive profesionale është e lidhur pjesërisht me vetë faktin se jo gjithmonë sistemi i arsimit publik mund t’u sigurojë atyre njohuritë e nevojshme për të punuar në një profil specifik, konkret. Dëshira e njerëzve për të përsosur aftësitë profesionale është një trend tejet pozitiv. Dhe kjo është e vlefshme jo vetëm për kompanitë, por edhe për vetë shtetin, i cili duhet të inkurajojë me të gjitha mënyrat këtë tendencë dhe të stimulojë prirjen e punëdhënësve dhe punonjësve për të investuar në kualifikimin e tyre profesional.

0Ekspertët theksojnë se është detyrë e shtetit që të krijojë të gjitha kushtet e nevojshme në mënyrë që specialistët e kualifikuar të mos provojnë dëshirën për t'u larguar nga vendi.