0Më herët është raportuar se po përgatiten stërvitjet më të mëdha të trupave tokësore për gjithë kohën e bashkëpunimit mes Moskës dhe Pekinit.

Këtë vit manovrat e trupave tokësore janë quajtur anti-terroriste dhe kjo është plotësisht e kuptueshme. Vitin e ardhshëm SHBA-ja dhe NATO-ja do të largohen nga Afganistani. Ndërkohë që kërcënimi terrorist, i cili vjen nga ky vend, për rajonin nuk mund të cilësohet i eliminuar kurrsesi. Jo krejt rastësisht Rusia, Kina dhe katër vende të Azisë Qendrore zhvillojnë çdo vit manovra të përbashkëta ushtarake anti-terroriste në kuadër të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSH). Por, me sa duket nga të gjitha, ushtarakët në Pekin dhe Moskë mendojnë se këto janë të pamjaftueshme për një reagim adekuat ndaj kërcënimeve të mundshme. Rusia dhe Kina janë duke kërkuar mbështetje tek njëra-tjetra me qëllim që të kenë prapavijat e mbrojtura dhe mundësinë për t’iu kundërpërgjigjur kërcënimeve që i kanosen sigurisë së përgjithshme.

Në lidhje me këtë një sërë ekspertësh ushtarakë kinezë në bisedat private shprehin madje dhe opinionin mbi mundësinë e lidhjes së aleancës politiko-ushtarake midis Moskës dhe Pekinit. Nëse Japonia, Koreja e Jugut, Filipinet, Australia, Singapori kanë një aleate të përfaqësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pse Kina duhet të mbetet atëhere e vetme? - vënë në dukje blogerët kinezë. Komenti i ekspertit të Akademisë ruse të Problemeve Gjeopolitike, Konstantin Sivkov:

- Opinioni i shprehur prej blogerëve kinezë nga pikëpamja gjeopolitike është absolutisht i saktë. Blloku i Rusisë dhe Kinës do të lejonte, në fakt, mbulimin krejtësisht të gjithë kontinentit Euroaziatik. Në aspektin ushtarako-politik një bllok i tillë do të jetë i pamposhtur, i pathyeshëm. Rusia dhe Kina, si vende aleate, do të kenë një pozicion jashtëzakonisht të favorshëm gjeopolitik.

Megjithatë aktualisht do të ishte jokorrekte të flitej për krijimin e ndonjë aleance ushtarake mes dy vendeve. Fjalë mund të bëhet në këtë rast vetëm për bashkëveprim, mendon Drejtori i Qendrës ruse për Hulumtime të Politikave Publike, Vladimir Jevsejev:

- Diskutimi rreth daljes së Rusisë dhe Kinës në nivel të marrëdhënieve aleate është qartësisht i parakohshëm. Sigurisht ne kemi marrëdhënie shumë serioze ekonomike dhe lidhje të forta politike, por në sferën e sigurisë ekziston gjithmonë dyshimi, qëndrimi fort i kujdesshëm reciprok. Kjo, në veçanti, për shkak të potencialeve të ndryshme ekonomike dhe ushtarake. Me konfirmimin në vijim të Kinës në pozicionin e një qendre të forcës mundësia e ndërtimit të marrëdhënieve prej aleatësh midis dy vendeve do të vijë duke u reduktuar. Prandaj fjalë mund të bëhet vetëm për partneritet strategjik, por jo më shumë se kaq.