0Meteori u përplas me pjesën e errët të Hënës. Vetë ngjarja në fjalë ndodhi më 17 mars dhe vetëm këto ditët e fundit ky eveniment u raportua nga NASA, ndërsa pak më vonë edhe prej disa burimeve të tjera. Shkencëtarët kanë llogaritur parametrat e fragmentit të tij: madhësia rezulton deri në gjysmë metri, pesha - 40 kg, kurse shpejtësia e fluturimit më shumë se 25 km për sekondë. Energjia e çliruar gjatë përplasjes me Hënën ishte evuivalente me shpërthimin e 5 ton tritol (TNT) dhe formoi një krater me një diametër prej 20 metrash.

Ky është fragmenti më i madh nga rreth treqind syresh, goditjet e të cilëve janë regjistruar që nga viti 2005, kur startoi programi i monitorimit të pandërprerë, vëzhgimit të vazhdueshëm të Hënës. Pa provoni të imagjinoni për një moment se çfarë do të ndodhte nëse një gurë i madh me pesh 40 kg do të godiste modulin e banueshëm në Hënë! Mos harroni se gjatë fluturimit shpejtësia jashtëzakonisht e madhe e meteorit do të ruhet, sepse Hëna nuk ka atmosferë, e cila të mund ta ngadalësonte, ta frenonte atë disi.

Po, vërtetë, e gjithë Hëna është e mbuluar me kratere. Por probabiliteti i rënies së ndonjë fragmenti të madh në një vend konkret është i papërfillshëm, shprehet me bindje të plotë shkencëtari rus Vladimir Surdin:

- Rrezik për astronautët dhe kozmonautët në sipërfaqen e Hënës kjo nuk do të përbëjë. Meteoritë të tillë të mëdhenj bien shumë të rrallë. Është tejet minimale, e papërfillshme rënia e tyre në Stacionin Kozmik Ndërkombëtar (SNK apo ISS) ose goditja prej ndonjë fragmenti të astronautit apo kozmonautit në Hënë. Diçka e tillë mund të ndodhë një herë në disa mijëra vjet.

Shumë më të rrezikshme janë grimcat e vogla me madhësi sa një kokë shkrepëseje, madje edhe më të vogla. Në Tokë ato digjen plotësisht gjatë depërtimit në atmosferë, kurse në Hënë do të fluturojnë deri në sipërfaqen e saj. Një grimcë e tillë mund të dëmtojë pajisjet, aparaturat apo të çajë skafandrën e kozmonautit. Si pasojë e kësaj ndodhie njeriut mund t’i merret fryma. Për fat të mirë gjatë ekspeditave të anijeve kozmike amerikane "Apollo" në Hënë në vitet 1960-1970 një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë, vazhdon eksperti:

- Në total, astronautët kanë qëndruar në Hënë rreth një javë e gjysmë dhe nuk kanë pësuar asnjë dëm nga meteoritët. Por nëqoftëse atje do të vendoset një bazë afatgjatë, do të ishte më e arsyeshme që ajo të fshihej nën dhe.

Krateret e freskët të meteoritëve në Hënë e plugojnë dheun e saj në një thellësi shumë të madhe dhe atje mund të gjenden mostra mjaft interesante gjeologjike. Pikërisht në afërsi të zonave të tilla dhe do të ishte e logjikshme vendosja e bazave të misioneve të ardhshme, shton Vladimir Surdin. Ndërsa koordinatat e kratereve do t’i përcaktojnë dhe saktësojnë satelitët hënorë.

0Shkencëtarët kanë filluar të reflektojnë tani edhe ndaj një dukurie tjetër: shpërthimi në Hënë përkoi me intensifikimin e aktivitetit meteor në Tokë. Meteorët ishin të mëdhenj dhe kanë arritur deri në shtresat e ulëta të atmosferës - ato natyrisht nuk ishin aspak një "shi yjor" i zakonshëm. Sipas një hipoteze, sistemi Tokë-Hënë kalon periodikisht nëpër një grumbull gjigant mbeturinash kozmike të lëna nga brezi i asteroideve.