0Që ditën tjetër, më 26 maj, në rrethinat jugore të Bejrutit - që konsiderohen si bastion i lëvizjes "Hezbollah" - shpërthyen dy raketa. Konflikti sirian përhapet në Liban pikërisht në kohën kur po zhvillohet puna fort e vështirë, e rëndë për përgatitjen e konferencës së re me qëllim të kërkimit të zgjidhjes së konfliktit të armatosur sirian.

Ushtria e Lirë Siriane, e cila është në opozitë me regjimin e Bashar Al-Assad, ka kërcënuar me dhënien e goditjeve të reja mbi Bejrutin dhe Tripolin - qyteti i dytë më i madh i Libanit - në përgjigje të ndërhyrjes së militantëve të grupit shiit libanez "Hezbollah" në konfliktin sirian.

Tërheqja e Libanit në luftën civile në Siri ishte e paracaktuar. Dhe, në fakt, Libani ka kohë që është përfshirë në të, thotë Presidenti i Institutit rus të Studimeve të Lindjes së Mesme, Eugjeni Satanovskij:

- Libani është ngatërruar, përfshirë në çdo situatë në konfrontimin ushtarak të Sirisë sipas definicionit, bazuar në gjithë historinë e Sirisë dhe Libanit. Ne e dimë fort mirë se Siria është tërhequr gjithmonë në mënyrë të pashmangshme në çdo konflikt ushtarak në Liban. Në mënyrë të ngjashme edhe Libani do të gjendet i përfshirë në luftën civile siriane. "Hezbollah" është një organizatë e militantëve shiitë. Në kuadër të luftërave fetare konfrontimi me "Al-Qaeda" në Siri është për të një gjë krejtësisht e natyrshme.

Siç u tha nga Sheiku Hassan Nasrallah, islamistët e papajtueshëm, të cilët kontrollojnë rajonet siriane në kufirin me Libanin, përbëjnë rrezik kërcënues jo vetëm për shiitët, por edhe për të gjitha komunitetet libaneze. Përveç kësaj, tha ai, "Hezbollah" nuk mund të lejojë "rënien e Sirisë". Kjo, sipas fjalëve të Hassan Nasrallah, "do të çojë në humbjen e Palestinës dhe pushtimin izraelit të Libanit".

Konflikti në Siri duhet të vështrohet në kontekstin më të gjerë të konfrontimit ndërfetar në Lindjen e Mesme, mendon analisti i Institutit rus të Studimeve Strategjike dhe Analizës, Sergei Demidenko:

- Në territorin e Sirisë tani po përvijohet kufiri ndarës midis botëve shiite dhe sunite. Ky është fronti i luftës së tyre, i cili u zhvendos nga Iraku në Siri. Organizata "Hezbollah" është një prej brigadave sulmuese të trupave shiite, që lufton kundër ekstremistëve sunitë. Ndërsa e gërvishtën këtë plagë që kishte zënë kore Shtetet e Bashkuara. Kur ndërmorrën në kohën e vet intervencionin e tyre në Irak, ato nuk menduan absolutisht për pasojat që do të kishte në të ardhmen ky pushtim. Dhe një nga pasojat më të rënda gjeopolitike të intervencionit të atëhershëm u bë faktikisht shpërthimi i luftës midis shiitëve dhe sunive. Pikërisht ajo që ne vërejmë tani në Siri.

0Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, sot i bëri thirrje mbështetësve të "Hezbollah" të mos përzihen në konfliktin në Siri. Megjithatë, nuk ka gjasa që thirrja e tij të mund të ndikojë në mënyrë të ndjeshme në situatën e krijuar.