0Nëse objektivi në fjalë do të arrihet, atëherë gjatë vitit të ardhshëm do të përgatitet një tekst dokumenti, i cili do të jetë ligjërisht i detyrueshëm për zbatim. Ndërsa sistemi automatik i shkëmbimit të informacionit mbi të ardhurat, që këta apo ata persona tërheqin nga depozitat e tyre bankare, do të nisë të veprojë që prej fillimit të vitit 2015. Progres është arritur edhe në negociatat me Austrinë dhe Luksemburgun, të cilët më parë kundërshtonin me kokëfortësi nismën e shumicës. Tani mbetet vetëm për të arritur në marrëveshje me vende të tilla si Lihtenshtajni, Monako, Andorra, San Marino dhe, natyrisht, Zvicra. Sepse në qoftë se ato mbeten mënjanë, distancohen nga nisma në fjalë, atëherë depozituesit që nuk duan publicitetin e të ardhurave të tyre s’do të kenë asnjë problem me transferimin sipas dëshirës të mjeteve të veta financiare. Megjithatë, ekspertët nuk e vënë në dyshim se BE-ja do të gjejë argumente për t’i bindur këto vende. Ja mendimi i Drejtorit të grupit të kompanive "ALOR" Sergei Hestanov:

- Vendet e vogla, të cilat e kanë ndërtuar ekonominë e tyre mbi bazë të shfrytëzimit të ruajtjes së sekretit bankar, ndodhen nën presionin e madh dhe të vazhdueshëm të vendeve më të zhvilluara. Madje dhe një vend i tillë tradicionalisht konservator si Zvicra ka bërë shumë për zbulimin e informacionit rreth depozituesve bankarë. Përkundrejt këtij sfondi, dëshira e vendeve të vogla për të ruajtur sekretin bankar duket një stisje jo realiste.

Pazarllëku me vendet evropiane, të cilat nuk hyjnë në BE, ka filluar tashmë. Kështu pra, Lihtenshtajni si fillim dëshiron të realizojë amnistinë për taksat për klientët e bankave të veta. Po të njëjtën gjë po kërkon të bëjë edhe Zvicra për depozituesit e vet nga Gjermania. Në fakt, pak kohë më parë, SHBA-ja ka arritur të bindë Berna-n për t’u treguar më e bindur, më tolerate - aktualisht Zvicra ofron informacion në lidhje me llogaritë bankare të qytetarëve amerikanë. Në këtë mënyrë gradualisht, por me siguri, sekreti bankar po mbetet në të kaluarën, të paktën në Evropë. Procesi në fjalë i leverdis shumë shteteve, të cilat, për shkak të evazionit të taksave, humbasin shuma të mëdha mjetesh financiare. Sipas vlerësimeve të Komisionit Evropian, humbjet vjetore të buxheteve arrijnë në triliona euro. Kurse sektori bankar do të përballet me problemin e rrjedhjes së fondeve, konstaton eksperti rus i Institutit të Evropës Vlladisllav Bjellov:

- Privimi i sekretit bankar për shtetet do të jetë i mbarsur në mënyrë të padiskutueshme me përkeqësimin e avantazheve të tyre konkurruese, për sa kohë që në botë do të mbeten rajone ku sekreti bankar, si dhe më parë, do të vazhdojë të respektohet, të ruhet. Prandaj mund të supozohet se pikërisht në këto vende dhe do të përqendrohet rrjedhja e kapitaleve.

0Në mesin e atyre, të cilët do të pranojnë me kënaqësi mjetet financiare të depozituesve të bankave evropiane, ekspertët përmendin, para së gjithash, Singaporin, Hong Kongun, Malajzinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.