Galeria fotografike

Ingrid Loyau-Kenneth e pa krimin nga dritarja e autobusit dhe fillimisht mendoi se njeriu i shtrirë në tokë ishte viktimë e një aksidenti rrugor. Ajo doli me vrap nga autobusi për t’i kontrolluar pulsin atij, pasi pa se askush tjetër nuk po i vinte në ndihmë personit të shtrirë në rrugë. Në këtë moment, sipas dëshmive të gruas, asaj iu afruan disa burra me thika në duar. Ata i kërkuan që të mos e prekë trupin e pajetë.

"Unë e vrava atë. Ai ishte ushtar britanik, ai ka vrarë njerëz, ai ka vrarë myslimanët në vendet myslimane", - u shpreh me zemërim njëri nga burrat. Ata i thanë gjithashtu Ingrid Loyau-Kenneth se do të presin edhe ardhjen e policëve që t’i pushkatojnë edhe ata. Ndërkohë, dëshmitari okular më i vonshëm i tragjedisë Sam Nikolson tregoi për Radiokompaninë "Zëri i Rusisë", se, sipas thashethemeve në qarkullim, vrasësi e goditi disa herë me thikë gruan që nxitoi për t’i ardhur në ndihmë viktimës.

"Shok i vërtetë, të gjithë kanë mbetur pa gojë. Dhe kjo nuk është aspak për t'u habitur: Woolwich është një lokalitet i vogël periferik, zakonisht i qetë, turma nëpër rrugë nuk ka, ndërsa të gjithë banorët e tij e njohin njëri-tjetrin. Vetkuptohet se një akt i tillë i përgjakshëm, barbar e ka tronditur thellësisht atë", - shtoi dëshmitari okular.

Skenën e dhunës ndaj të vdekurit dëshmitari e përshkroi si një "masakër të vërtetë", e cila zgjati plot njëzet minuta para se të mbërrinte policia.

Siç është raportuar më parë, të mërkurën paradite dy kriminelë, siç presupozohet islamistë, njëri prej të cilëve ishte zezak, e vranë ushtarakun në lokalitetin Woolwich, i cili ndodhet në jug-lindje të Londrës. Policia që mbërriti në vendin e tragjedisë u përpoq t’i ndalonte kriminelët, por u përball me një rezistencë të tërbuar të armatosur nga ana e tyre. Incidenti u konsiderua si "sulm i motivuar politikisht nga ana e islamistëve". Kurse burime zyrtare deklaruan se sulmuesit gjatë kryerjes së krimit thërrisnin me të madhe "Allahu Ekber" dhe e filmonin në kamera sulmin e tyre. Sipas fjalëve të Kryeministrit britanik David Cameron, ka dëshmi faktike se incidenti ishte një sulm terrorist.