0Organizatorë të këtij forumi janë Këshilli i Federatës i Rusisë dhe Asambleja Ndërkombëtare e shteteve anëtare të Bashkësisë së Shteteve të Pavarura (BSHP apo CIS), kurse partnere zyrtare - Organizata e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim Industrial.

Në shekullin e 21-të çështjet mjedisore janë bërë globale. Problemi i përkeqësimit të cilësisë së ajrit në qytetet e mëdha, për shembull, është njëlloj aktual dhe tejet i rëndësishëm për të gjitha shtetet. Dhe Rusia nuk është një përjashtim këtu. Por gjatë viteve të fundit gjendja në qytetet ruse filloi të ndryshojë në mënyrë të ndjeshme në kahun pozitiv, tha Nënkryetari i Komitetit të Këshillit të Federatës për Mbrojtjen e Natyrës (Mjedisin), Konstandin Cibko:

- Ekziston statistika evropiane - me kalimin në përdorimin e një karburanti të cilësisë më të lartë jetëgjatësia e banorëve urbanë është rritur mesatarisht me një vit. Këtë vit ne kemi aplikuar përdorimin në sferën e transportit të karburantit "Euro-3". Deri në 1 janari të këtij viti në Rusi ishte standard përdorimi i "Euro-2". Rezultati kryesor - përmirësimi i cilësisë së ajrit në qytetet e vendit.

Një nga temat qendrore të forumit do të jetë zhvillimi i "energjetikës së gjelbër" dhe efikasiteti i energjisë. Kompanitë dhe korporatat më të mëdha të Rusisë aktualisht janë duke përdorur me sukses teknologjitë e energjisë efikase dhe teknologjitë pa mbetje, vë në dukje eksperti i Komisionit mjedisor të Bashkimit të Industrialistëve dhe Sipërmarrësve të Rusisë, Mihaill Jullkin:

- Kostoja e energjisë po vjen duke u rritur, po ashtu si dhe kostoja e karburantit. Kompanitë janë të detyruara të merren me çështjet e efikasitetit të energjisë dhe kursimit të energjisë vetëm për hir të ruajtjes së aftësisë së konkurrencës në treg. Pothuajse të gjitha kompanitë e angazhuara në prodhimin e letrës dhe celulozës kanë mësuar të përdorin mbeturinat e veta drusore dhe po distancohen nga vartësia prej furnizimeve nga rrjetet elektrike.

Dhe me qëllim të zgjidhjes së problemit të mbetjeve industriale në vend, ekspertët sugjerojnë përforcimin në legjislacion të obligimit të ndërmarrjeve për riciklimin e tyre. Në të njëjtën kohë teknologjitë për këtë duhet të jenë nga më të mirat në botë.

0Në Kongresin Ekologjik Ndërkombëtar në Shën Petersburg do të preken edhe çështjet e qasjes së popullsisë në informacionin mjedisor. Ekspertët mendojnë se pikërisht këtë vit, i cili është deklaruar në Federatën Ruse si Viti i mbrojtjes së mjedisit, Rusia do të realizojë aderimin në Konventën e Aarhus-it. Ajo parashikon që informacioni mbi emisionet e gazeve serrë, hedhjeve të mbeturinave, mbetjeve industriale duhet të bëhet publik. Kjo do të thotë se popullata lokale, në bashkëpunim me autoritetet shtetërore dhe komunitetin e biznesit, do të ketë mundësi të ndikojë në mënyrë aktive për kalimin e kompanive në përdorimin e teknologjive të reja, duke përmirësuar me këtë ndjeshëm ekologjinë në planet.