0Aktualisht pasojat e fatkeqësive natyrore nuk merren parasysh në masë të plotë, konfirmohet në raportin e OKB-së, që përmban pasqyrën e humbjeve ekonomike nga forcat e natyrës të llogaritura në 56 vende. Ndërkohë, vetëm në vitin 2012 ka patur më shumë se 310 katastrofa natyrore - tërmete, përmbytje, uragane, që kanë marrë jetët e më shumë se 9.000 njerëzve dhe kanë prekur mbi një milion banorë të planetit. Sipas vlerësimeve të ekspertëve, tani dëmin kryesor ia shkaktojnë ekonomisë uraganet dhe tërmetet. Por ka edhe rreziqe të tjera, të cilat nuk janë ende plotësisht të dukshme. Për shembull, njerëzimi nuk është përballur akoma me pasojat drastike të rënies së ndonjë meteoriti të madh apo asteroidi në Tokë. Edhe pse rënia e një meteoriti të vogël në periferitë e qytetit rus të Çeljabinskut (Chelyabinsk) lejon të gjykohet mbi shkallën e mundshme të fatkeqësisë, thotë profesori i Institutit rus të Naftës dhe Gazit, që mban emrin “Gubkin”, Aleksandër Llobusjev:

- Fatkeqësitë e mëdha natyrore, që kërcënojnë njerëzimin, janë të lidhura me kozmosin dhe energjinë e brendshme të Tokës. Fenomenet kozmike, janë, para së gjithash, meteoritet e mëdha dhe asteroidet që mund të bien si mbi territorin e planetit, ashtu dhe në ujërat e oqeanit botëror. Rënia e trupave qiellorë në ujërat oqeanike do të shkaktojë cuname të fuqishme me pasoja katastrofike. Përsa i përket forcave të brendshme të Tokës, këto janë kryesisht tërmetet, të cilat mund të shkaktojnë po ashtu cuname.

Pika nevralgjike të qytetërimit modern, sipas mendimit të ekspertëve, po bëhen metropolet e mëdha me popullsi shumë të dendur, me infrastruktura komplekse dhe objekte të tilla teknike si centralet bërthamore. Dëmtimi i tyre do të përforcojë shumëfish forcën shkatërrimtare të fatkeqësive natyrore. Një shembull evidenti i këtij konfirmimi është incidenti që ndodhi në centralin bërthamor japonez "Fukushima".

Duke marrë fjalën në prezantimin e raportit, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon theksoi se përgjegjësinë primare për minimizimin e rrezikut të katastrofave natyrore e mban qeveria e çdo vendi, por suksesi është i mundur vetëm në partneritet me biznesin privat - bankat e investimeve dhe kompanitë e sigurimeve. Sepse pikërisht sektorit privat i bien për pjesë 85% të të gjitha investimeve globale në ndërtimin e godinave të reja, zhvillimin e industrisë dhe objekteve kyçe të infrastrukturës.

0Sot ekspertët parashtrojnë dy rrugë kryesore për minimizimin e rreziqeve të fatkeqësive natyrore - ky është zhvillimi i sistemeve të parashikimit dhe paralajmërimit të hershëm të fatkeqësive natyrore dhe ndërtimi i godinave e objekteve të infrastrukturës rezistente ndaj ndikimit të forcave madhore. Por, siç pranojnë ekspertët, biznesi tani për tani nuk është fort i gatshëm për të marrë përsipër shpenzime të tilla. Në të kundërtën, vërehet mjaft shpesh synimi për të kursyer në kurriz të garantimit të sigurisë.