0Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së u prit në kryeqytetin e Lojrave të ardhshme Olimpike Dimërore - Soçi. Në takimin me Presidentin Putin dhe Ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov, Ban Ki-moon në rusisht i falënderoi ata për ftesën dhe për mundësinë që i dhanë për të admiruar bukuritë e këtij qyteti turistik.

Tema kryesore ndërkombëtare e bisedimeve në Soçi ishte Siria. Në javën e fundit ndonjë takim i rrallë i liderëve botërorë ka kaluar pa prekjen e tematikës siriane. Situata në këtë vend u diskutua nga Presidenti rus dhe Kryeministri i Izraelit, nga Kryeministri i Turqisë dhe Presidenti amerikan Obama, ajo ka qenë subjekt i negociatave të Ministrave të Jashtëm të Rusisë, Gjermanisë dhe Polonisë. Ministri rus Sergei Lavrov dhe Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, në takimin e tyre të 7 majit në Moskë kanë rënë dakord për të organizuar një konferencë të re ndërkombëtare mbi Sirinë. Në të njëjtën kohë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, me shumicë votash, miratoi një rezolutë fort të diskutueshme. Në të Koalicioni Kombëtar i forcave revolucionare dhe opozitare siriane është quajtur "përfaqësues legjitim" i popullit të Sirisë, kurse regjimi aktual i Bashar Al-Assad i nënshtrohet kritikës së rreptë.

Vendimi për të thirrur një konferencë të re ndërkombëtare, në të cilën rreth tryezës së bisedimeve do të takohen të gjitha palët e përfshira në konflikt, sipas fjalëve të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, është një mundësi me të vërtetë unike që nuk duhet humbur kurrsesi.

- Unë falënderoj Ministrin e Punëve të Jashtme të Rusisë dhe Sekretarin Amerikan të Shtetit për përpjekjet e tyre frytëdhënëse. Tani detyra jonë është të diskutojmë dhe të përgatisim zhvillimin e konferencës ndërkombëtare. Unë shpresoj shumë se ne do të mund ta mbajmë takimin për Sirinë sa më shpejt të jetë e mundur me qëllim që palët konfliktuese të ulen në tryezën e bisedimeve.

Konferenca planifikohet të mbahet në fund të majit - fillim të qershorit. Mbi kompleksitetin organizativ të këtij takimi tregoi Ministri rus Sergei Lavrov:

- Rusia beson se gjëja më e rëndësishme tani është të kuptohet se cila nga palët e konfliktit sirian është e gatshme për të marrë pjesë në konferencë. Pa këtë në përgjithësi asgjë nuk do të ndodhë. Edhe një detyrë tjetër imediate është përcaktimi i rrethit të pjesëmarrësve nga vendet e tjera. Në logjikën e arsyetimit tonë ne nisemi nga fakti se të gjithë ata që morrën pjesë në takimin e Gjenevës, në qershor të vitit të kaluar, duhet të ftohen në konferencën në fjalë. Plus një gabim i madh ishte atëhere mungesa në Gjenevë e përfaqësuesve të Iranit dhe Arabisë Saudite. Unë jam mëse i bindur se të gjithë fqinjët e Sirisë duhet të ftohen në këtë konferencë.

0Nga mënyra se si do të zgjidhet konflikti në Siri, do të varet jo vetëm e ardhmja e vendit dhe rajonit në tërësi, por edhe metoda e mëtejshme e veprimit të komunitetit ndërkombëtar në situata të komplikuara. Shembuj të pasuksesshëm tashmë ekzistojnë jo pak, madje në të njëjtin rajon. Dhe këto, sipas fjalëve të Sergei Lavrov, janë pasoja të interpretimit të lirë të Kartës dhe rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.