Galeria fotografike

Artistët Andrei Bllohin dhe Georgi Kuznecov, të cilët krijuan pesë vjet më parë grupin e artit RECYCLE, vendosën t’ua bëjnë jetën më të lehtë arkeologëve të së ardhmes. Ata kanë përgatitur artefakte që do t’u tregojnë brezave të ardhshëm mbi botën tonë, në lidhje me problemet që kanë preokupuar njerëzit në Tokë në çerekun e parë të shekullit të XXI. Të shkrira dhe të ngjitura së bashku copëzat plastike, të cilat dikur kanë shërbyer si enë, vështrojnë nga frakturat e kores së Tokës, duke i dhënë mundësi shikuesit që të vihet në vendin e arkeologut të së ardhmes.

"Ky është një vazhdim i ciklit të ekspozitave tona me tematikën e arkeologjisë të së ardhmes, - tha për Radiokompaninë "Zëri i Rusisë" piktori Andrei Bllohin. - Për ne është mjaft interesante të mësojmë se si do ta shohin epokën, në të cilën ne jetojmë, kur atë ta gërmojnë pas disa qindra vjetësh. Po ashtu siç u zbuluan grekët e lashtë, siç u gjetën amforat, në të njëjtën mënyrë do të gërmojnë edhe periudhën e jetesës së kohës sonë, do të gjejnë enë plastike. Ne në punët tona bëjmë disa paralelizma: sepse në arkeologji mbeten megjithatë më shumë sende të jetës së përditshme, shtëpiake, sesa vepra të artit. Kurse ne kombinojmë objektet e jetës së përditshme me veprat e artit".

Në ekspozitën, e cila u hap në Qendrën e Projektimit të Moskës “ARTPLAY”, mu në qendër të hapësirës ekspozuese është vendosur "Vala" gjigande, e cila është bërë nga qindra tasa, kapakë dhe kontenierë. Është e tmerrshme të imagjinohet se sa do të mërzitet një amvisë ekonomiqare e zellshme kur të shohë një përdorim të tillë aspak praktik të sendeve kaq të mira. Por veprat e artit të krijuara nga grupi RECYCLE janë të destinuara për brezat e ardhshëm. Po si do të mbijetojnë ato në disa qindra vjet që na ndajnë?

"Koha do ta tregojë, - shprehet Georgi Kuznecov. - Arti bashkëkohor pasqyron kohën në të cilën ai ekziston. Kjo është shumë më interesante se sa arti klasik, sepse klasikja pasqyron jetën e brezave të mëparshëm, kurse njerëzit i preokupojnë çështjet që shtron për zgjidhje përpara nesh koha sot. Ne i ngrejmë këto çështje, ngrejmë temën e kohës në të cilën jetojmë dhe e pasqyrojmë atë".

0Nga të gjithë artistët rusë, të cilët nuk i lënë të qetë dafinat e lavdisë të Tracey Emin dhe Jeff Koons, Andrei Bllohin dhe Georgi Kuznecov janë më të famshëm dhe më interesantë. Mund të thuhet se njohja me veprat e tyre përfshihet në programin e detyrueshëm për ata që duan të kuptojnë trendet themelore të artit modern në Rusi.