0Sekretari i tretë i Ambasadës Amerikane Ryan Christopher Fogle, i cili u kap me presh në duar nga oficerët e Shërbimit Federal rus të Sigurimit (FSB), është shpallur “persona non grata” dhe së shpejti do të duhet të lërë Moskën.

Amerikanët mund të kundërpërgjigjen ndaj kësaj me dëbimin e ndonjë diplomati rus nga Uashingtoni. Por mund edhe të mos reagojnë në këtë mënyrë. Provat faktike kundër Fogle janë krejtësisht evidente, madje flagrante. Disa ekspertë rusë janë të prirur të besojnë se Fogle i ri është dërguar posaçërisht me “mision” me qëllim të testimit të vigjilencës së shërbimeve sekrete ruse, për të provokuar reagim kurdërpërgjigjeje nga ana e tyre dhe për të shkaktuar si rezultat një skandal spiunazhi. Dhe të gjitha këto ndodhin në një kohë kur midis Moskës dhe Uashingtonit nisën të përvijohen shenja të ngrohjes së marrëdhënieve.

Politikani rus Boris Mezhuev nuk beson se incidenti aktual i spiunazhit mund të shndërrohet në një skandal të vërtetë, siç ka ndodhur një gjë e tillë shpesh në të kaluarën midis Moskës dhe Uashingtonit. Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Rusisë kanë ndryshuar cilësisht, tha Boris Mezhuev në një intervistë me Radiokompaninë "Zëri i Rusisë":

- Tani ka ardhur një kohë tjetër: ekziston ndjesia se marrëdhëniet gjeopolitike dhe ekonomike janë një gjë, ndërsa skandalet e llojeve të ndryshme, duke përfshirë edhe ato të lidhura me spiunazhin - krejt gjë tjetër. Situata në botë po bëhet aq e komplikuar, saqë asnjëra nga palët - as Shtetet e Bashkuara dhe as Rusia - nuk kanë ndonjë dëshirë për të shfaqur rreptësi të tepruar.

Një tjetër ekspert rus, analisti i Institutit rus të SHBA-së dhe Kanadasë Pavel Zollotarjov, shpreh idenë paradoksale se kjo histori spiunazhi mund të ndihmojë Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara për të hequr qafe trashëgiminë e Luftës së Ftohtë.

- Ky rast duhet t’i detyrojë të mendohen drejtuesit e rangut të lartë në lidhje me atë se ka ardhur tashmë koha për të filluar ndërtimin e marrëdhënieve midis dy vendeve në një mënyrë krejtësisht tjetër. Erdhi koha e përshtatshme për të ndaluar procesin e inercisë pas Luftës së Ftohtë, gjatë së cilës ne jemi sjellë ndaj njëri-tjetrit si armiq potencialë. Është e nevojshme të dalim nga gjendja e frenimit të ndërsjelltë, duke përfshirë edhe atë bërthamor. Vetë fakti që ky incident ndodhi vetëm një muaj para takimit të dy presidentëve, respektivisht Putin dhe Obama, mund të shërbejë si një impuls pozitiv për këtë.

0Siç e dini, më 17-18 qershor në Irlandën e Veriut, në margjinat e takimit të "Tetëshes së madhe", do të zhvillohen bisedime mes Vladimir Putin dhe Barack Obama. Pastaj kësaj ata duhet të takohen sërish në shtator në Shën Petersburg gjatë mbajtjes së forumit të "Njëzetëshes së Madhe".