Galeria fotografike

Ekspertët presin dëbimin nga vendi të diplomatit të ndaluar Ryan Christopher Fogle (tani ai i është dorëzuar Ambasadës Amerikane).

Është mjaft interesant fakti se tentativa për të rekrutuar specialistin ushtarak rus për Kaukazin e Veriut ndodhi pikërisht në momentin kur Barack Obama falenderoi Vladimir Putinin për bashkëpunimin në hetimin e sulmit terrorist në Maratonën e Bostonit, ndërsa Kreu i Shërbimit Federal të Sigurimit të Rusisë, Nikollai Patrushev po përgatitet për t’u nisur për në Shtetet e Bashkuara me qëllim që t’i dorëzojë Obamës mesazhin personal nga Vladimir Putin.

Është mëse evidente se dikush po përpiqet të minojë mirëkuptimin e përvijuar mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara në lidhje me çështjen siriane. Ka shumë mundësi që një xhelozi të caktuar të ketë shkaktuar në SHBA-s edhe fakti se Shërbimi Federal i Sigurimit të Rusisë (FSB) në historinë me sulmin terrorist të Bostonit veproi në mënyrë shumë më profesionale dhe më efikase se sa shërbimet e inteligjencës amerikane në të gjitha drejtimet. Sepse ndodhi kështu që specialistët ushtarakë rusë për Kaukazin e Veriut e pikasën terroristin Tamerllan Carnaev madje edhe atje, në Bostonin e largët, kurse agjencitë e zbulimit të SHBA-s nuk qenë në gjendje të parandalonin këtë akt të tmerrshëm terrorizmi mu nën hundën e vet, pavarësisht ndihmës së dhënë nga FSB-ja ruse. Duhet thënë se në javët e fundit në Amerikë janë ndërmarrë përpjekje për t’i "drejtuar shigjetat" nga Shërbimi Federal rus i Sigurimit (FSB): gazetat nisën të shkruajnë në mënyrë aktive se pala ruse kinse nuk ndau në masën e duhur me amerikanët informacionin disponues. Sipas mendimit të sociologes ruse Olga Krishtanovskaja, këto akuza janë krejtësisht të pabaza:

- Me sa kuptoj unë, Rusia është përpjekur të ndihmojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke i vënë në dispozicion informacionin e nevojshëm agjencive të inteligjencës amerikane. Dhe një bashkëpunim i tillë është një hap përpara, kjo është diçka e domosdoshme.

Analisti politik rus Pavell Danilin tërheq vëmendjen ndaj zgjedhjes së momentit krejtësisht të papërshtatshëm që gjeti CIA për të dërguar agjentin e vet me misionin e rrezikshëm të rekrutimit në Rusi - sepse për muajin e ardhshëm është planifikuar edhe takimi i Putinit me Obamën në Irlandën e Veriut, edhe mbajtja e Konferencës së Paqes për Sirinë:

- Fakti se shërbimet sekrete të Federatës Ruse kapën një spiun, flet vetëm mbi atë se ky agjent ishte angazhuar në mënyrë fort të paskrupullt me aktivitetin e vet. Dhe pikërisht në prag të takimeve tejet të rëndësishme, të cilët destinohen të bëhen relevante në marrëdhëniet midis dy vendeve, CIA aranzhon një provokim të tillë, duke dërguar bashkëpunëtorët e vet për të tërhequr me ryshfete në stanin e vet ushtarakët rusë të sktrukturave të sigurisë dhe zbatimit të ligjit.

Kësaj herë skandali spiunazhit mund të ketë pasoja diplomatike. Në një deklaratë të MPJ-së ruse vihet në dukje, se "arsenali spiun" klasik që iu konfiskua agjentit amerikan si dhe një shumë e madhe parash "nuk janë vetëm demaskim i një agjenti të huaj, i cili u kap me presh në dorë, por ngrenë gjithashtu edhe pyetje serioze në adresë të palës amerikane", - fundi i citatit.

Me sa duket shërbimet sekrete ruse kanë vendosur t’i dërgojnë një sinjal të qartë kolegëve të huaj. Kuptimi i këtij sinjali është i tillë: mjaft më e tepruat, erdhi koha t’i lini këto gjëra. Nuk do të ishte keq që në SHBA ky sinjal të perceptohej pikërisht kështu, edhe pse, natyrisht, Ambasadorit amerikan Michael McFaul nuk ka gjasa t’i vijë mirë të paraqitet të mërkurën në Ministrinë të Punëve të Jashtme të Rusisë për notën përkatëse të palës ruse.