Një anije, në bordin e së cilës ndodheshin rreth 200 refugjatë myslimanë, u mbyt në brigjet e Birmanisë.

Pasagjerët e anijes ishin myslimanë të nacionalitetit Rohingya, të cilët kishin ndërmend të largoheshin nga vendi para ardhjes së ciklonit të fuqishëm Mahasen. Këtë javë cikloni do të përfshijë shtetin e Rakhine. Anija u përmbys në afërsi të qytetit port të Pauktaw. Ende nuk ka të dhëna mbi viktimat dhe të lënduarit.

Dhjetra mijëra myslimanë Rohingya jetojnë në kampet e refugjatëve, pas shpërthimit të dhunës sektare vitin e kaluar. OKB-ja bëri thirrje për një evakuim urgjent para stuhisë, pasi shumica e kampeve janë të vendosura në zonat që ndodhen nën rrezik përmbytjeje.