Sipas të dhënave të reja, rreth një e treta e kafshëve që jetojnë në Tokë dhe më shumë se gjysma e specieve bimore mund të kërcënohen nga një reduktim i konsiderueshëm i numrit të tyre si pasojë e ngrohjes globale.

Sipas një artikulli të studiuesve britanikë, të botuar në revistën “Nature”, në qoftë se deri në fund të këtij shekulli temperatura mesatare globale do të rritet me 4 gradë, ajo do t’i shkaktojë një dëm të madh diversitetit (shumëllojshmërisë) biologjike të planetit.

Sipas të dhënave të këtij artikulli, më të dukshme këto ndryshime do të jenë në Afrikën Qendrore, në pellgun e lumit të Amazonës, dhe në Australi. Në kuadër të këtij studimi iu nënshtruan analizës pothuajse 50.000 lloje të ndryshme bimësh dhe kafshësh.