0Në vitin 1943 ai kishte ndërmend të shkonte vullnetar në luftë, por në dokumentet e paraqitura prej tij në komandën ushtarake përmendej njohja e mirë nga ai e gjuhës polake. Si rezultat, në vend që ta nisnin në linjën e parë të frontit të luftës atë e dërguan në frontin e informacionit: si folës (spiker) në radiostacionin e Bashkimit të Patriotëve Polakë që po krijohej asaj kohe në Moskë. "Unë ndihem shumë krenar kur mendoj se në atë kohë isha njeri i dobishëm në detyrën që më ngarkuan, pavarësisht nga fakti se nuk shkova dot në front", - tha Leonid Sigan:

- Të gjithë pjesëtarët e familjes sime, të cilët mbetën në Ukrainën Perëndimore, gjetën vdekjen. Unë e ndjeja veten padrejtësisht të privuar, sepse mua nuk më thirrën nën armë jo sepse isha i paaftë fizikisht për të shërbyer në ushtri, por se kisha lindur, si i thonë fjalës, në një vend "të keq". Vepronte qarkorja e lëshuar prej Stalinit: njerëzit nga Ukraina Perëndimore dhe Bjellorusia pranoheshin vetëm në batalionet e ndërtimit ose në punë të tjera, vetëm në front ata nuk i lejonin kurrsesi.

Megjithatë, detyra të rëndësishme e me përgjegjësi ai kishte plot në radio. Njëherë Leonid Sigan "parakaloi" madje dhe vetë të famshmin Juri Levitan, lajmëtarin kryesor të fitoreve të Ushtrisë së Kuqe në radio:

- Të gjithë ne prisnim me ankth e padurim çlirimin e kryeqytetit polak, ndiqnim me vemendje të përqendruar buletinet e lajmeve. Rregulli ishte i tillë: kur çlirohej ndonjë qytet i madh lëshohej një urdhër nga Kryekomandanti Suprem. Ky urdhër lexohej para mikrofonit nga folësi (spikeri) i mirënjohur Levitan dhe vetëm pas kësaj redaksitë e realizimit të transmetimeve në gjuhë të huaja mund ta përkthenin atë dhe ta artikulonin në On Air (në eter). Por ndodhi një mrekulli. Një ditë të bukur mua më thirrën urgjentisht në redaksi dhe më thanë: tani pritet një dokument shumë i rëndësishëm, mblidhe veten dhe përqendrohu. Dhe me të vërtetë, mua më japin në dorë një kopje të dokumentit, në të cilin flitej mbi çlirimin e Varshavës. Më vonë Juri Levitan, i cili, meqë ra fjala, sillej në mënyrë mjaft miqësore me mua, kur u takuam njëherë rastësisht më kërcënoi me shaka me gishtin tregues, sepse unë, ndoshta, isha i vetmi njeri që e parakalova atë.

Leonid Sigan u bë dëshmitar okular dhe pjesëmarrës aktiv i evoluimit të radios - që nga disqet cilindrike me dyll, të cilët i vinin vetë folësit në mënyrë mekanike në aparaturën përkatëse të regjistrimit, e deri tek aplikimi i transmetimit në Internet. Pyetjes, nëse nuk i është mërzitur vallë atij të bëjë të njëjtën punë prej kaq e kaq dekadash, ai iu përgjigj: "Ju, ndoshta, nuk e formuluat drejt pyetjen tuaj":

- Në radio është e pamundur të angazhohesh me një punë të vetme. Çdo ditë ti përballesh me informacion të ri, qasje të reja, forma të reja pune interesante, me njerëz të rinj, në fund të fundit. Unë do të thoja se radio është një shkollë e madhe, e mrekullueshme jete, shkollë e vërtetë politike. Ajo është një test tejet serioz për fillestarët - të përballojnë këtë ritëm, të zgjidhin detyrat e problemet imediate. Ky është një lloj i veçantë i gazetarisë, dhe unë e konsideroj veten një njeri tërësisht të lumtur që “ziej në këtë kazan” prej shumë e shumë vitesh.

0Leonid Sigan e di për mrekulli se si tani, në epokën e konkurrencës së ashpër në media, të mbajë të gjallë vemendjen dhe interesin e radiodëgjuesve, audiencës në Internet. Në këtë nuk ka, në fakt, kurrfarë trukesh e mariferesh - “thjesht puna e mirë, cilësore", ndan me auditorin sekretin e suksesit të vet Shefi i redaksisë së edicionit polak të Radiokompanisë "Zëri i Rusisë", i nderuari Leonid Sigan.