0Fiks në orën 10 të mëngjesit heshtjen në Sheshin e Kuq e theu komanda:

Parada! Nën Flamurin kombëtar të Federatës Ruse dhe Flamurin e Fitores gatitu! Për fillimin e paradës majtas kthehu!

Galeria fotografike

Nën tingujt e këngës së pavdekshme "Lufta e Shenjtë", në të cilën triumfi i fitores ndërthuret me brengën, hidhërimin e miliona njerëzve sovjetikë, grupi i flamurmbajtësve hyri në Sheshin e Kuq me Flamurin e Fitores. Parada filloi. Pjesëmarrësve dhe mysafirëve të saj, veteranëve të Luftës së Madhe Patriotike dhe gjithë popullit të Rusisë iu drejtua Kryekomandanti Suprem, Presidenti i Federatës Ruse Vladimir Putin:

- Të nderuar qytetarë të Rusisë, të dashur veteranë, shokë ushtarë, marinarë, rreshterët dhe kapterë, ndihmësoficerë (marine) e nëntogerë. Shokë oficerë, gjeneralë dhe admiralë, ju uroj me rastin e Ditës së Fitores. Me ditën e lavdisë së popullit tonë, i cili shpartalloi nazizmin. Kanë kaluar tashmë 68 vjet që prej përfundimit të Luftës së Madhe Patriotike, por kujtimi i saj nuk fashitet nga mendjet tona. Ai transmetohet brez pas brezi, nga prindërit tek fëmijët, nga zemra në zemër. Forca kryesore e një afrie të tillë të shenjtë është dashuria për Rusinë, tokën tonë amëtare, për miqtë, shokët e ngushtë, familjarët tanë.

Video

Kremtimi i Fitores së Madhe mbetet festa kryesore mbarëpopullore pavarësisht nga të gjitha tronditjet e dekadave të fundit. Rusia nderon aktin heroik të atyre, të cilëve ne u detyrohemi lirinë tonë dhe vetë jetën sot, theksoi Vladimir Putin:

- Ne do të kujtojmë gjithmonë se pikërisht Rusia, Bashkimi Sovjetik, minuan planet gjakatare, njeriurryese e kryeneçe të nazistëve dhe nuk i lejuan ata të sundojnë botën. Ushtarët tanë mbrojtën me vetëmohim lirinë dhe pavarësinë e Atdheut të tyre. Pa mëshiruar veten ata çliruan Evropën dhe korrën fitoren, madhështia e së cilës do të mbetet përjetësisht në histori.

Lufta është e keqja më e madhe që mund të ekzistojë mbi tokë, dhe vuajtjet që i ranë për pjesë popullit tonë në vitet e Luftës së Madhe Patriotike janë shembulli më i spikatur për gjithë botën. Dhe kjo e keqe nuk duhet të përsëritet më kurrë, tha Kryekomandanti Suprem.

Këtë vit paradën e drejtoi Kryekomandanti i Trupave Tokësore, Gjeneral-Koloneli Vladimir Çirkin, ndërsa e pranoi raportimin e tij Ministri i ri i Mbrojtjes, Heroi i Rusisë, Gjenerali i ushtrisë Sergei Shoigu. Mbi kalldrëmin e Sheshit të Kuq parakaluan përfaqësuesit e të gjitha llojeve të Forcave të Armatosura të Federatës Ruse dhe teknika luftarake. Artileristët demonstruan para tribunave armën e tyre kërcënuese - obusët vetëlëvizës "Msta-S" (russ. “Мста-С”), kurse trupat raketore një nga komponentet e mburojës bërthamore të Rusisë - komplekset strategjike raketore "Topol-M" (russ. “Тополь-М”). E përfundoi Paradën e Fitores fluturimi i teknikës më të fundit të aviacionit mbi Sheshin e Kuq.

Me kalimin e çdo viti radhët e veteranëve vijnë duke u rralluar, koha është e pamëshirshme, e pandalshme, por sot në rrugët e Moskës, për fat të mirë, dolën shumë prej tyre. Për të 68-in vit me radhë ata me lot në sy kujtojnë atë moment gëzimi të papërmbajtshëm, kur erdhi lajmi mbi fundin e luftës, lumturinë e të cilit vitet nuk e shuajtën dot nga kujtesa:

- Sheshi ishte i mbushur plot e përplot me njerëz, s’kishe ku të hidhje kokrrën e mollës. Mbaj mend qe pragmbrëmje, projektorët shponin me fasha drite muzgun mbi kokat tona, njerëzit hidhnin monedha në ajër, ngritën lart flamurin. Gjithkund dëgjoheshin thirrje të papërmbajtshme gëzimi, njerëzit putheshin e përqafoheshin me njëri-tjetri, disa qanin me lot ngazëllimi, thotë një veteran moskovit.

- Më 9 maj ndodhesha i shtruar pas plagosjes së rëndë në spital, kur njoftuan mbi fundin e luftës. Ne ishim jashtëzakonisht të lumtur, gjithë natën nuk vumë gjumë në sy. Përreth dëgjoheshin thirrjet "Fitorja, Fitorja!". Pacientët, kush pa këmbë, kush pa duar, të gjithë ata që mund të lëviznin vetë nga shtrati, u ngritën, të tjerë tërhiqeshin zvarrë nëpër dysheme si të çmendur nga gëzimi. Ajo ishte një skenë e paharrueshme, rrëfen një tjetër.

0Moska do të vazhdojë të nderojë fitimtarët e luftës deri në mbrëmje vonë. Marshime, parakalime, ekspozita dhe koncerte do të zhvillohen në rajone të ndryshme të qytetit. Do të përfundojë festa në mbrëmje, në orën 22.00, me një show grandioz fishekzjarresh - 70 armë artilerie në 14 pika të Moskës do ta zbukurojnë qiellin e kryeqytetit rus me ndriçimin impresionues të fishekzjarreve shumëngjyrëshe.