0Vizitën e vet të parë në rangun e Sekretarit të ri të Shtetit të SHBA-së në Moskë John Kerry e ndërmorri në prag të Ditës së Fitores (9 Majit). Para fillimit të negociatave Sekretari Amerikan bëri një shëtitje në këmbë nëpër Sheshin e Kuq dhe komunikoi me veteranët rusë, ndërsa më pas mori pjesë në aktivitetet e ceremonitë përkujtimore të rastit. Meqë ra fjala, John Kerry u bë Kreu i parë i Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili vendosi një kurorë me lule pranë Varrit të Ushtarit të Panjohur. Në shiritin përkujtimor të kësaj kurore ishin shkruar fjalët "I përjetshëm qoftë kujtimi i heronjve tanë që ranë në luftën për fitoren e përbashkët!".

Mbi faktin se sot për Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë është e domosdoshme që përsëri të veprojnë bashkarisht, John Kerry u shpreh tashmë më vonë në Kremlin, gjatë takimit me Presidentin Vladimir Putin. Si një shembull të bashkëpunimit të suksesshëm midis dy vendeve ai përmendi hetimin e sulmeve terroriste të paradokohshme në Boston. Sekretari Amerikan i Shtetit theksoi, se kurrfarë komplikimesh aktuale nuk duhet të shumëzojnë me zero rezultatet tashmë të arritura dhe t’u vënë vizën perspektivave:

- Marrëdhëniet tona kanë një të ardhme të madhe. Pavarësisht dallimeve ekzistuese në pikëpamjet e vendeve tona, neve na bashkojnë interesat strategjike. Këtë e dëshmon më së miri bashkëpunimi në kuadër të Traktatit për Shkurtimin e Armatimeve Strategjike Ofensive (Traktati mbi ASO ose ndryshe START) dhe në Afganistan, Rusia po vazhdon të na japë një ndihmë të madhe edhe në çështjet e Iranit, Koresë së Veriut, OBT-së. Unë dua të falënderoj Ministrin Sergei Lavrov për qasjen e tij konstruktive. Dhe unë e di fort mirë se Presidenti Obama i është mirënjohës Presidentit Putin për ofrimin e bashkëveprimit.

Çështja, për të cilën palët "ranë dakort me të vërtetë për të bashkëpunuar", është zgjidhja e problemit sirian. Moska dhe Uashingtoni do të punojnë së bashku për të siguruar zbatimin e plotë të Komunikatës së Gjenevës, deklaroi Sergei Lavrov:

- Rusia dhe Shtetet e Bashkuara do të inkurajojnë edhe Qeverinë e Sirisë, edhe grupet opozitare për të siguruar gjetjen nga ana e palëve kundërshtare të një rrugëzgjidhje politike të krizës në vend. Ne ramë dakord gjithashtu që sa më shpejt të jetë e mundur, ndoshta edhe në fund të këtij muaji, të thërrasim një konferencë ndërkombëtare për të promovuar parimet e Konferencës së Gjenevës të vitit të kaluar.

Sipas fjalëve të John Kerry, Komunikata e Gjenevës është me të vërtetë "baza për avancimin drejt një Sirie të re, ku të mos ketë më kurrë gjakderdhje". Megjithatë, kur Sekretarin Amerikan të Shtetit u pyetën se: Çfarë fati ka në këtë kontekst projekt-ligji mbi furnizimin e armëve kryengritësve sirianë, i cili u paraqit këto kohët e fundit për shqyrtim në Senat? - John Kerry preferoi t’i shmanget përgjigjes së drejtpërdrejtë:

0- Në Senat ekziston me të vërtetë një opinion në favor të furnizimit me armë të opozitës siriane. Si përfundim gjithçka do të përcaktohet nga fakti, nëse do të kemi ne në dorë prova dhe dëshmi të vërtetësishme për ekzistencën e armëve kimike në Siri. Siç e dini tashmë, Presidenti Obama ka urdhëruar analizimin e hollësishëm të këtyre fakteve dhe të këtij informacioni. Unë mendoj se Kongresi do të shqyrtojë me vemendje e kujdes të madh rezultatet e kësaj analize para se të merren ndofarë vendimesh. Gjithçka do të varet nga fakti nëse do të arrihet të ulen apo jo palët e konfliktit në tryezën e bisedimeve. Këtë ne do ta mësojmë tashmë në javët e ardhshme.