Sovraniteti i Japonisë mbi Ishujt Ryukyu, përfshirë këtu edhe Ishullin Okinawa, është një çështje e diskutueshme, thuhet në një artikull të botuar ditën e mërkurë në median e shtypur zyrtare të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës - gazetën "People’s Daily Online”.

Sipas mendimit të shkencëtarëve, Ishujt Ryukyu ndodheshin në marrëdhënie vasale me Kinën deri në momentin e aneksimit të tyre nga Japonia në vitin 1879. Dhe përderisa pas disfatës së Japonisë në Luftën e Dytë Botërore asaj i kërkuan t’i kthente Kinës territoret e saj të pushtuara më parë, atëherë e drejta e Japonisë për zotërimin e Ishujve Ryukyu vihet automatikisht nën pikëpyetje.