Aleanca e Atlantikut të Veriut nuk ka ndërmend të zgjerojë praninë e vet ushtarake në Arktik, deklaroi të mërkurën në Oslo Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, në kuadër të vizitës së tij dy ditore në Norvegji.

"Arktiku është një rajon i vështirë. Rajoni në fjalë ka nevojë për bashkëpunim dhe jo për konfrontim. Dhe unë shpresoj se bashkëpunimi në këtë rajon do të vazhdojë", - tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

Sipas të dhënave të mediave perëndimore, më parë Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja kanë deklaruar synimin e vet për të forcuar praninë ushtarake në Arktik me qëllim të mbrojtjes së të drejtave dhe interesave të tyre në rajon.