0Përveç kësaj, Damasku i dha dritën e gjelbër grupeve të armatosura ilegale palestineze për të kryer operacione kundër Izraelit nga Lartësitë e Golanit.

Izraeli, nga ana e vet, ka hedhur në zonën e kufirit me Sirinë dy bateri të sistemit të mbrojtjes antiraket. Ai i druhet reagimit të kundërpërgjigjes nga ana e Damaskut, i cili e ka quajtur bombardimin izraelit të territorit të tij si shpallje të luftës.

Në të gdhirë të së dielës, më 5 maj, Izraeli dha goditje raketore mbi periferitë e Damaskut, ku ndodhen depot e armëve, një qendër kërkimore ushtarake si dhe vendi i stacionimit të Brigadave të Gardës Presidenciale. Kurse sipas njoftimeve të gazetës izraelite "Haaretz", objektiv i goditjeve ishte një parti raketash iraniane të destinuara për Lëvizjen radikale libaneze "Hezbollah". Informacioni në lidhje me të vrarët gjatë sulmeve ajrore është tejet kontradiktor. Disa burime informojnë se viktima të sulmeve ajrore janë bërë rreth 300 ushtarakë. Të tjerë kanë raportuar për katër të vrarë dhe 70 të plagosur.

Damasku i quajti veprimet e Izraelit agresion dhe shpallje të luftës Sirisë. Kjo mund të çojë në një luftë në shkallë të plotë në rajon, tha Ministri sirian i Informacionit, Omran al-Zoubi:

- Sulmet raketore izraelite hapin portat për gjithfarë pasojash në rajon. Ky akt konfirmon ekzistencën e koordinimit të veprimeve ndërmjet Izraelit dhe grupeve terroriste.

Duam t’ju kujtojmë se goditjen e parë Izraeli e dha në territorin e Sirisë mbi një autokolonë ushtarake në kufi me Libanin natën në të gdhirë të së premtes. Objektiv i goditjes ishte një parti raketash iraniane, vë në dukje Drejtori i Institutit rus të Lindjes së Mesme, Eugjeni Satanovskij:

- E gjithë ajo që ndodhi mund të vlerësohet plotësisht si një provë gjenerale e pashpallur, e fshehtë e luftës së ardhshme iraniano-izraelite. Nëse izraelitët mund të asgjësojnë pa ndonjë problem të madh një objekt ushtarak, të vendosur në afërsi të Damaskut, në të njëjtën mënyrë ata mund të eliminojnë edhe objektet bërthamore të Iranit në territorin e tij. Dhe këtë e kuptojnë për mrekulli në Tehran.

Kajro dënoi sulmin ajror izraelit mbi territorin sirian. Lidhja e Shteteve Arabe gjithashtu i dënoi veprimet e Izraelit. Ajo i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të "vepruar në mënyrë imediate me qëllim të ndalimit të sulmeve ajrore izraelite ndaj territorit të Sirisë.

0Ndërkohë, Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu të hënën filloi vizitën e vet zyrtare në Kinë, pavarësisht përkeqësimit serioz të situatës në rajon për shkak të sulmeve të Forcave Ajrore izraelite mbi territorin e Sirisë. Ai i la pa kurrfarë komenti këto njoftime. Në të njëjtën kohë, para se të fluturonte për në Pekin ai mbajti takimin e paparalajmëruar të Kabinetit të Ministrave me pjesëmarrjen e ministrave kryesorë dhe krerëve të dikastereve ushtarake. Për rezultatet e mbledhjes në fjalë nuk bëhet e ditur asgjë. Përveç kësaj, asnjë nga udhëheqësit izraelitë nuk i ka konfirmuar apo mohuar publikisht njoftimet mbi sulmet raketore mbi territorin sirian.