Galeria fotografike

Me lule, tullumbace shumëngjyrëshe, flamuj dhe slogane sociale - kështu e feston 1 Majin Rusia. I gjithë vendi u përfshi nga vala e demonstratave festive të 1 Majit. Deri në një herë e gjysmë e tejkaloi numrin e deklaruar të pjesëmarrësve aktiviteti i sindikatave që u organizua në Moskë. 90.000 vetë marshuan nëpër qendrën e kryeqytetit rus. Për përfaqësuesit e sindikatave slogani kryesor tradicional mbetet "Mbrojtja e të drejtave të punëtorëve" - i cili presupozon punën e sigurtë, efektivitetin e saj ekonomik dhe paga të dinjitetshme, tha Nënkryetari i parë i Federatës së Sindikatave të Pavarura të Rusisë, Andrei Isajev:

- 1 Maji në Rusi është, para së gjithash, një festë sindikale. Kolonat më masive të parakaluesve janë ato të sindikatave. Dhe ato, nga njëra anë, janë mjaft solemne dhe festive. Kurse, nga ana tjetër, në to tingëllojnë kërkesa serioze, të cilave autoritetet u vënë veshin.

Parakalojnë kolonat e mjekëve, mësuesve dhe studentëve. Të gjithë pjesëmarrësit kanë ardhur në këtë festim me kërkesa serioze, por sigurisht edhe me gjendje shpirtërore festive, tha Kryetari i Bashkisë së Moskës, Sergei Sobianin:

- Dhe arsye për këtë nuk është vetëm moti i mrekullueshëm që po mban. Kjo gjendje shpirtërore festive është e lidhur edhe me faktin e ndryshimeve të mëdha që po ndodhin në qytet. Po vazhdojnë të ndërtohen stacione të reja të metrosë, rrugë. Në sferën e arsimit dhe shëndetësisë po evidentohen ndryshime pozitive - janë rritur pagat. Njerëzit janë të mbushur me besim se jeta e tyre do të vazhdojë të përmirësohet.

Gjithsej në Rusi në demonstratat festive morrën pjesë më shumë se 1.5 milionë njerëz. Në Kamçatka sindikatat dhe partitë politike zhvilluan tubimet e tyre, të cilat grumbulluan më shumë se 20.000 pjesëmarrës. Në Republikën e Sakha (Jakutia) festimi i 1 Majit mori ngjyrim kombëtar: njerëzit organizuan vallen e kënduar tradicionale të popujve të Veriut. Në Shën Petersburg banorët e qytetit e pritën festën me parakalimin masiv nëpër Shëtitoren Nevski (Nevski Prospekt). Ndërsa në Osetinë e Veriut më 1 Maj u hap tubimi ndërkombëtar i motoçiklistëve (bikers). Për tri ditë me radhë në të do të marrin pjesë më shumë se 200 motoçiklistë, në mesin e të cilëve janë edhe bikers nga Polonia, Bjellorusia, Estonia, Kazakistani, Azerbajxhani, Ukraina dhe Lituania.

Me pak fjalë, sot, rreth 123 vjet pas daljes së parë në Rusi të punëtorëve në demonstratat e 1 Majit, vetë data 1 Maj u shndërrua në një festë të vërtetë kalendarike, të cilën e presin me padurim, e përgatisin dhe e festojnë me kënaqësi të madhe.