0Materiali i trajtuar me nanosubstancën hidrofobe është i mbrojtur madje edhe nga yndyra. I gjithë sekreti konsiston në strukturën e veçantë të materialit të shtresës mbrojtëse. Ai në nivel molekular nuk lejon pikat e ujit të depërtojnë në materialin e veshjeve. Molekulat janë vendosur kaq afër njëra-tjetrës, saqë substanca e lëngët nuk mund të depërtojë në pëlhurë. Ndërsa ajri rrjedh fare lirshëm dhe pëlhura mund të "marrë frymë". Por gjëja më e rëndësishme është që për trajtimin e pëlhurës nuk nevojiten pajisje të veçanta dhe të sofistikuara, thotë bashkëpunëtori shkencor i Qendrës ruse të Nanoteknologjive "Dubna" Roman Noviçkov:

- Gjithçka është fare e thjeshtë: pajisja në fjalë përbën në vetvete një bombolë të vogël (konteiner) me aerosol. Me ndihmën e saj përpunojmë rrobat me substancën hidrofobe dhe presim deri sa ajo të thahet. Materiali i rrobave bëhet pas kësaj i padepërtueshëm për ujin.

Një gjë e tillë mund të bëhet edhe me letrën, drurin, tullat ose metalin. Për shembull, pas përpunimit me një nanosubstancë të tillë hidrofobe mbi krahët e avionit nuk formohet më shtresë akulli. Ndërsa godinat mund të bëhen shumë më jetëgjata, thotë një tjetër bashkëpunëtor shkencor i Qendrës ruse të Nanoteknologjive "Dubna" Mihaill Adamov:

- E përpunuat pëlhurën me këtë substancë, pas gjysëm viti mund ta çoni në lavanderi. Pas kësaj mund ta trajtoni sërish me një shtresë tjetër mbrojtëse substance hidrofobe pëlhurën. Kurse materialet e ndërtimit ajo mund t’i mbrojë për 8-10 vjet.

0Tani, hulumtuesit po e testojnë këtë nanosubstancë si mbrojtje për xhamat e makinave. Ata kryen një eksperiment. Në një shi të madh, të rrëmbyer përshkuan me makinë më shumë se 100 kilometra. Në çdo xham të saj nuk kishte as edhe një pikë të vetme uji. Sipas llogaritjeve të bëra, një shtresë e tillë mbrojtëse për xhamat e makinave do të shërbejë të paktën gjashtë muaj.