0Një grup shkencëtarësh nga Instituti Akademik i biologjisë së gjeneve në Moskë, nën udhëheqjen e Profesor Aleksandër Soboljev, shpiku një nano (mini) transportues modular. Ai përfaqëson në vetvete një molekulë të madhe dhe përbëhet nga module të ndryshme, të cilat nuk është aspak e vështirë të ndryshohen në varësi të detyrës së shtruar për zgjidhje. Që do të thote se ai mund të transformohet e të adaptohet për lloje të ndryshme të qelizave të prekura - shënjestër, të transportojë në destinacion medikamente të ndryshme.

Aktualisht në laboratorin e Aleksandër Soboljev ekziston një komplet i tërë nanotransportuesish modularë, të cilët mund t’i dërgojnë medikamentet përkatëse në qelizat malinje në rastet e tumorit kanceroz të kokës dhe qafës, leuçemisë, tumoret e sistemit nervor dhe fshikëzës urinare.

Një nga modulet e nanotransportuesit identifikon (njeh) llojin e qelizave-shënjestër. Gjatë kësaj ai përcakton zonën konkrete, dërgimi i medikamentit në të cilën do të japë efektin maksimal. E rëndësishme është që në një rast të tillë për shkatërrimin e qelizës malinje nevojitet një dozë minimale e preparatit. Kjo gjë redukton seriozisht efektet anësore, të cilat karakterizojnë zakonisht medikamentet kundër kancerit.

"Identifikimi" i qelizës së bashku me depërtimin në të mund të kombinohen falë sistemeve transportuese që ekzistojnë në çdo qelizë, duke përfshirë këtu edhe atë kanceroze. Vetë thelbi konsiston tek proteinat specifike, receptorët, të cilët janë të aftë të "njohin" molekulën e duhur nga gjithë bashkësia e molekulave që i afrohen qelizës, ta lidhin atë pas vetes dhe ta transportojnë atë brenda në qelizë. Puna e këtyre receptorëve tashmë është studiuar në mënyrë të mjaftueshme dhe tek ata ne mund të mbështetemi me siguri të plotë, thonë biologët.

Proteinat e tjera brenda qelizës kanceroze sigurojnë zhvendosjen e nanotransportuesit në destinacionin e duhur - tek bërthama. Një goditje e tillë "bërthamore" me medikamente mbi qelizën e sëmurë e shkatërron shumë shpejt atë.

Për ndryshimin e preparateve në varësi të llojit të qelizave-shënjestër mund të zëvendësohet lehtësisht moduli i nanotransportuesit.

Provat paraklinike kanë treguar efektivitetin e lartë të shpikjes ruse. Dhe në qoftë se ajo do të japë një rezultat të mirë edhe në provat klinike, atëherë do të mund të aplikohet menjëherë në shumë fusha të mjekësisë. Dhe, sigurisht, në diagnostikim - për zhvendosjen e substancave që janë të nevojshme për studimin e qelizës.