0Çdo vit Ekaterinburgu pret ekspozitën ndërkombëtare dhe forumin INNOPROM. Kryeqyteti i Uraleve është duke u përgatitur për të zhvilluar në vitin 2014 Kampionatin Botëror të Programimit, kurse në vitin 2018 Kampionatin Botëror të Futbollit. Përveç kësaj, qyteti është përfshirë në mënyrë mjaft aktive në konkursin për të drejtën që të presë Ekspozitën Universale Botërore në vitin 2020.

Në fillim të qershorit në Ekaterinburg do të mbahet Samiti BE-Rusi, kurse në prag të këtij evenimenti madhor do të organizohet Festivali unik ndërkombëtar “Ditët e Evropës” (angl. The “Days of Europe” International Festival).

Mbi atë se çfarë i pret banorët dhe vizitorët në këtë festival i tregoi Radiokompanisë "Zëri i Rusisë" dhe mediave të tjera ruse Søren Liborius, Sekretari për shtyp i Përfaqësisë së Bashkimit Evropian në Rusi (angl. Head of Press and Information section, Delegation of the European Union to Russia).

Pse u përzgjodh pikërisht Ekaterinburgu për zhvillimin e festivalit “Ditët e Evropës” në vitin 2013?

Ekaterinburgu është një nga qytetet më të rëndësishme të Rusisë. Shumë kompani evropiane operojnë në rajonin e Uraleve. Pranë Universitetit të Uralit që prej shumë vitesh funksionon Qendra e Informacionit e BE-së, e cila ofron informacion në lidhje me Bashkimin Evropian dhe Evropën në përgjithësi. Menjëherë pas “Ditëve të Europës” në Ekaterinburg do të mbahet Samiti BE-Rusi, në të cilin Presidenti Putin do të takohet me udhëheqësit e BE-së, respektivisht Herman Van Rompuy dhe Jose Manuel Barroso. Ne mund të themi me plot të drejtë se viti 2013 do të kalojë për Ekaterinburgun nën shenjën e Bashkimit Evropian.

Festivali “Ditët e Evropës” është mbajtur tashmë në shumë qytete. Çfarë prisni ju nga “Ditët e Evropës” në Ekaterinburg?

Kjo do të jetë një mundësi e mrekullueshme për të gjithë banorët e qytetit për të ndjerë frymën evropiane dhe për t’u bërë pjesëz e Evropës pa u larguar nga Ekaterinburgu. Të premten, më 31 maj, në Universitetin Federal të Uralit do të mbahen debatet e hapura ruso-evropiane mbi temën e modernizimit të qyteteve. Të shtunën, më 1 qershor, do të mund të fillojnë aktivitetet sportive, ndër të cilat është dhe parada çiklistike ruso-evropiane, që do të kalojë përmes qendrës së qytetit. Në këtë ditë në Parkun e Kulturës dhe Pushimit do të hapet Panairi Evropian, në të cilin do të prezantohen Londra, Parisi, Berlini, Madridi, Vjena dhe shumë qytete të tjera të Evropës. Në këtë panair gjithkush që dëshiron do të ketë mundësi të dëgjojë dhe të shikojë trendet dominuese të modës dhe arteve evropiane, si dhe atë në fushën e ekologjisë. Qytetarët do të kenë mundësi të takohen me diplomatët e BE-së dhe të bisedojnë me ta për Evropën bashkëkohore dhe Rusinë.

A keni qenë Ju në Ekaterinburg ndonjëherë? Nëse po, cilat janë përshtypjet Tuaja për këtë qytet?

0Po, kam qenë. Ky është një qytet mjaft dinamik me shumë njerëz të këndshëm; një qytet i vendosur në udhëkryq mes Evropës dhe Azisë. Qytet, në historinë e të cilit ka kaq shumë gjëra "evropiane" dhe që është pjesë e Rusisë moderne.