Shkarko audiofailin

E bija e publicistit të njohur sllovak Dushan Kerni (sllov. Dušan Kerný), e cila merr pjesë rregullisht në maratonat që zhvillohen në vende të ndryshme të botës, nuk shkoi thjesht nga rastësia në muajin prill në Boston. Babai i saj e ka tejet të vështirë madje dhe të imagjinojë se çfarë mund të kishte ndodhur, nëse ajo do të kishte qenë atje në momentin tragjik të shpërthimeve.

"Terrorizmi ndërkombëtar nuk është një fantom. Ai po na tregon sërish e sërish fytyrën e vet", thotë Dushan Kerni dhe rikujton në lidhje me këtë “Linjën direkte të Vladimir Putinit” me qytetarët rusë të datës 25 prill:

- Në Sllovaki fokusuan vëmendjen në thirrjen e hapur, të drejtpërdrejtë të Presidentit Vladimir Putin për bashkimin e përpjekjeve të Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar. Kurse unë jam i mendimit se në këtë proces duhet të përfshihet edhe Evropa, edhe të gjitha vendet e interesuara. Sulmet terroriste në Boston shkaktuan tronditje, shok të vërtetë në Sllovaki. Para së gjithash për arsyen se skenë e krimit u zgjodh një ngjarje masive sportive. Shok shkaktoi edhe vetë fakti se terroristët ishin çeçenë. Në vështrim të parë do të dukej se këta njerëz duhet t’i ishin mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ata gjetën, në fakt, atdheun e vet të dytë.

Për një moment ne të gjithë papritmas provuam ndjesinë dhe perceptuam se edhe në Evropë njerëzit janë krejtësisht të pambrojtur. Sepse fare pranë, në Austrinë fqinje, me të cilën ne nuk kemi madje as kufi administrativ, jeton një komunitet i madh çeçen prej 20.000 vetësh. Dhe nuk është sekret për askënd se shumë të rinj çeçenë prej andej nisen për në Siri, ku bashkohen me radhët e rebelëve islamikë. Mua më duket se nuk ka asnjë alternativë propozimi i Vladimir Putin - për të bashkuar forcat në emër të garantimit të sigurisë globale. Sepse i patën paralajmëruar shërbimet speciale ruse të sigurisë partnerët e tyre amerikanë që duhet t’i kushtojnë vëmendje e t’i mbajnë në fokus vëllezërit Carnaev. Amerikanët, s’dihet se për çfarë arsye, nuk reaguan ndaj këtij paralajmërimi.

Ndoshta për vetë faktin se ekziston elementi i dyshimit reciprok.

- Unë jam i prirur t’i përmbahem mendimit se sot Rusia dhe Shtetet e Bashkuara duhet të kapërcejnë me çdo kusht tensionin e krijuar në marrëdhëniet e ndërsjellta. Disa ndryshime të caktuara tashmë po ndodhin, vërtetë tani për tani në fushën e vetëdijes. Kur u bë e ditur se terroristët e Bostonit ishin çeçenë, me rrënjë nga Rusia, qëndrimi ndaj tyre në media ishte fillimisht mjaft i butë. Por kjo u fashit shumë shpejt, sapo vëllai më i vogël i mbijetuar deklaroi: “Ne deshëm të merrnim hak për Afganistanin”.

Unë personalisht kam përjetuar vetë një sulm terrorist dhe e di fort mirë se çfarë do të thotë kjo. Kur punoja në Moskë, si korrespondent i akredituar atje, kam jetuar mu në qendër të qytetit, në afërsi të Kremlinit, jo shumë larg nga hoteli "Nacional". Dhe ndodhi kështu, që në hyrje të këtij hoteli hodhi veten në erë një terroriste-kamikaze. Ne u gjendëm faktikisht fare afër ndodhisë në fjalë dhe humbëm krejtësisht torruan nga tmerri e frika që na pushtoi! Me pak fjalë, vetëm tani ne po arrijmë të perceptojmë gradualisht se sa i vështirë është për t'u zgjidhur i ashtuquajturi "problemi çeçen".

Me sa duket, për herë të parë evropianët arritën të kuptojnë qartë se ata që i kanë quajtur shpesh "kryengritës çeçenë", në fakt, janë terroristë të zakonshëm.

Po, kjo lëvizje me kalimin e viteve erdhi duke u radikalizuar. Dhe tani ne e shohim atë ndryshe se më parë.