Shkarko audiofailin

Në shtëpinë botuese ruse “Akademia-XXI” doli në dritë libri i shkrimtarit ushtarak bullgar “Historia e Fortesës Shumla (turqisht Šumla)” Georgi Xhumalijev (titulli origjinal i librit në bullgarisht “История на Шуменската крепост” Георги Джумалиев). Ai tregon mbi historinë e betejave që janë shpalosur këtu gjatë periudhës së luftërave Ruso-Turke. Përkthimi i këtij libri nga bullgarishtja në rusisht është bërë në qytetin e Shumen, ndërsa u redaktua më vonë teksti tashmë nga rusët.

Projekti ka marrë mbështetje financiare nga administrata e qytetit të Podolsk në rrethinat e Moskës, Shoqata “Qytetet binjake”, Bashkia e qytetit Shumen dhe Biblioteka popullore lokale bullgare “Dobri Voinikov”. Libri u bë, në fakt, një akt domethënës i lidhjeve vëllazërore të qyteteve bullgar dhe rus. Mbi historinë e këtyre marrëdhënieve Radiokompanisë “Zëri i Rusisë” i tregoi Këshilltari i Kryebashkiakut të qytetit rus Podolsk, Oleg Antonov:

- 10 vjet më parë, në përbërjen e një delegacioni të rajonit të Moskës, ne mbërritëm në Bullgari për të kremtuar së bashku 125 vjetorin e epopesë së Pleven-it, pra fitoren e trupave ruse. Dhe pikërisht atëhere lindi ideja për vendosjen e lidhjeve më të ngushta me popullin vëlla. Ne shprehëm dëshirën e ndërsjelltë që të krijonim mundësinë për një komunikim më intensiv të studentëve dhe nxënësve të të dy vendeve, për gjallërimin e turizmit. Kurse më pas konkretisht në mes të qyteteve Podolsk dhe Shumen u zhvilluan projekte ekonomike. U krijua shoqëria aksionare ruso-bullgare “Bollgarsojuzprodukt” me pjesëmarrjen e barabartë të palëve në të. Administrata e qytetit të Podolsk ka caktuar pesë hektarë tokë, ku planifikohet të ndërtohet Qendra e shpërndarjes së produkteve bujqësore bullgare. Por shpërtheu vala e krizës së vitit 2008 dhe projekti ngeci në vend (u ngri). Sot ne po e rifillojmë sërisht realizimin e tij. Në rrethin e Moskës operojnë tashmë gjashtë sipërmarrje ruso-bullgare që prodhojnë materiale ndërtimi, produkte kozmetike, parfumerie, fruta dhe perime bullgare.

Qytetet binjake Podolsk dhe Shumen nuk i lidh formaliteti i thjeshtë. Sigurisht, ekziston edhe interesi i ndërsjelltë plotësisht pragmatik. Por, përveç kësaj, është edhe historia e përbashkët e luftës për çlirimin nga zgjedha osmane, e shtrenjtë si për rusët, ashtu dhe për bullgarët. Rreth qytetit të Shumen (ndryshe Shumla në kohërat e moçme) janë shpalosur njëherë e një kohë ngjarje dramatike. Ja se çfarë tha në një intervistë me Radiokompaninë “Zëri i Rusisë” Drejtori i Bibliotekës Popullore të qytetit bullgar "Dobri Voinikov" Nikollai Nikollov:

- 6 vjet më parë ne kemi përuruar monumentin e ngritur për nder të heroit të luftës Ruso-Turke, Gjeneral-Lejtnantit Valerian Madatov, Kryekomandantit të habitshëm, strategut të madh, i cili diti të marrë pa luftë fortifikatat e armikut. Nën qytetin Shumla Valerian Madatov udhëhoqi luftime mjaft të ashpra. Për marrjen e pikave të fortifikuara të armikut gjenerali u nderua me Urdhërin e Shën Aleksandër Nevski. Mu në kulmin e një prej betejave ai ndërroi jetë. Atëhere kundërshtari madje hapi portat e kalasë në mënyrë që rusët të kishin mundësi të varrosnin heroin e tyre, të cilin e njohën si të tillë edhe vetë turqit. Tek ne në Shumen gjithkush e di fort mirë këtë histori. Dhe çdo banor i tij nderon kujtimin e strategëve të mëdhenj ushtarakë rusë. Unë mora me vete në Moskë mbesën time dhe e çova tek monumenti i Gjeneralit Bagration në Shëtitoren Kutuzov (Kutuzov Avenue). Dhe i thashë: “E shikon, edhe ai ka luftuar për Shumen-in”. Le të mësohet që në fëmijëri të mos harrojë se kujt i jemi ne mirënjohës për çlirimin nga zgjedha turke dhe restaurimin e shtetësisë së vendit.