0Substancat kundër mikrobeve në formë molekulash të shkurtra, të përbëra prej dhjetra aminoacidesh, janë tashmë të njohura. Megjithatë, ato përdoren për herë të parë nga shkencëtarët për prodhimin e një medikamenti. Problemi qëndron në faktin se të tilla peptide antibakteriale janë mjaft toksike. Nga një përqëndrim i lartë i tyre mund të dëmtohen jo vetëm bakteriet, por edhe vetë organizmi i njeriut.

Nanobioteknologu rus Igor Elisejev së bashku me shkencëtarët e Institutit kërkimoro-shkencor të mjekësisë eksperimentale të Shën Petersburgut konstruktojnë proteina me veti antibakteriale, të cilat kanë toksicitet minimal.

Ndërkohë që ndaj këtyre peptideve nuk krijohet pothuajse asnjë lloj rezistence dhe, rrjedhimisht, bakteriet e kanë shumë të vështirë për t'iu kundërvënë atyre. Proteina të tilla të konstrukturuara e shkatërrojnë shumë shpejt membranën e bakterieve.

Me fjalë të tjera, antibiotikët e vjetër, të cilët shpesh rezultojnë të jenë shumë të dobët dhe nuk mund të luftojnë sëmundjet, tani do të zëvëndësohen nga antibiotikët e rinj më efektivë.

Ka shumë mundësi që antibiotikët e rinj të përdoren si preparate të veprimit lokal. "Prej tyre mund të krijohet një "plumb magjik", - vuri në dukje Igor Elisejev. - Bëhet fjalë për një bashkësi të tillë nanogrimcash, të cilat jo vetëm do të shfaqin efektin terapeutik, por dhe do të lejojnë drejtimin e medikamentit në vendin e duhur".

Ndërsa kjo do të thotë se organizmi në tërësi do të jetë i mbrojtur nga helmimi.