0Shfrytëzimi paqësor i energjisë atomike hyri në jetën e njerëzimit më shumë se pesëdhjetë vjet më parë. Reaktorët bërthamorë mundësuan jo vetëm reduktimin e “urisë energjetike”, por dhe përmirësuan ekologjinë në një sërë vendesh. Si shembull përmendet Franca. 75% e energjisë elektrike në këtë vend përftohet nga centralet bërthamore. Falë kësaj emetimet e gazit të dioksidit të karbonit në atmosferë u arrit të reduktohen në 12 herë. Kjo duket të jetë një alternativë ideale. Por vetëm me kusht të garantimit të punës së sigurtë të centraleve bërthamore. Ndërkohë, gjatë periudhës së ekzistencës së energjetikës bërthamore në vende të ndryshme kanë ndodhur aksidente dhe katastrofa të shkallëve diverse të rrezikshmërisë. Të tilla numërohen rreth 400. Më të mëdhatë ndër to janë padiskutim katastrofa e Çernobilit në Ukrainë në vitin 1986, aksidenti në centralin bërthamor të SHBA-së në Three Mile Island në vitin 1979 dhe aksidenti në centralin bërthamor japonez "Fukushima-1" në vitin 2011. Sipas mendimit të disa studiuesve, kjo e fundit e ka tejkaluar 20 herë atë të Çernobilit në aspektin e vëllimit total të shkarkimeve radioaktive. Shkaqet e aksidenteve të ndodhura ishin të ndryshme, por eksperienca e këtyre ngjarjeve është studiuar deri në detaje nga ekspertët, thotë Drejtori i Fondit rus të Zhvillimit të Energjisë, Sergei Pikin:

- Më kryesorja është se njerëzimi gjatë përballjes me situatat e katastrofave teknogjene duket krejtësisht i pambrojtur, prandaj është tejet e rëndësishme të mendohet paraprakisht se çfarë situatash mund të lindin, të ndërmerren përpjekjet për neutralizin e tyre dhe të bëhet e pamundura për zbutjen e shkallës së ndikimit të rreziqeve. Dhe këtu fokusimi i vëmendjes në çështjet e sigurisë është shumë i rëndësishëm.

Aktualisht në botë veprojnë rreth 440-450 reaktorë të centraleve bërthamore. Më shumë se 60 të tjerë janë në ndërtim e sipër. Megjithatë, aksidenti i fundit në Japoni e njollosi rëndë imazhin e energjetikës bërthamore, i cili u rivendos, u korrigjuar në gati tre dekada pas katastrofës së Çernobilit. Në lidhje me këtë fakt u intensifikuan përpjekjet në drejtim të kërkimit të energjisë alternative, vë në dukje Kryeredaktori i revistës ruse “Strategjia bërthamore” (russ. “Атомная стратегия”), Oleg Dvoinikov:

- Alternativa, natyrisht, ekzistojnë. Mund të krijohen centrale për prodhimin e energjisë edhe me cikël të kombinuar gazi e avulli, edhe me qymyr. Por ekziston ekuilibri optimal i kapaciteteve. Ekspertët thonë se rreth një mijë reaktorë bërthamorë, në parim, në planet mund të ekzistojnë. Tjetër gjë është ajo se paralelisht me ndërtimin e centraleve bërthamore duhet të zgjidhen çështjet që kanë të bëjnë me riciklimin e karburantit bërthamor, utilizimin e mbetjeve radioaktive. Por perspektivë për 30-40 vitet e ardhshme reaktorët bërthamorë kanë megjithatë dhe ata do të vazhdojnë t’i ndërtojnë.

0Në Ditën Ndërkombëtare të përkujtimit të viktimave të aksidenteve dhe katastrofave të rrezatimit radioaktiv në shumë qytete të Rusisë, Bjellorusisë dhe Ukrainës u zhvilluan aktivitete përkujtimore. Në 10 vende evropiane nën sloganin “Për të ardhmen pa Çernobil dhe Fukushima” po mbahet “Java Evropiane e Veprimit”.