0Çdo aplikant (pretendent) për biletën vetëm vajtje marsiane duhet të dërgojë një video mesazh 1-minutësh, në të cilin të argumentojë në mënyrë bindëse përse në rolin e kolonistit duhet të zgjidhet pikërisht ai ose ajo. Pranimi i videoklipeve nga e gjithë bota do të zgjasë dy vjet. Me qëllim që të eliminojnë njerëzit, që nuk kanë pikësynim serioz, organizatorët do të marrin një tarifë të vogël prej 25 $.

Videoaplikime priten jo më pak se një milion. Në bazë të tyre do të përcaktohen kandidatët, ata do t’i ndajnë më pas në katërshe dhe do të fillojnë t’i përgatisin për fluturimin në Mars. “Marsianët” e ardhshëm do t’i mësojnë se si të gjejnë rrugëdalje nga një shumëllojshmëri e madhe situatash stresuese. Është parashikuar edhe “ngujimi” i tyre në maketin e bazës marsiane me një vonesë të konsiderueshme të ndërlidhjes me “Tokën e madhe”, si në eksperimentin rus “Mars-500”.

Deri në vitin 2022 - momentin e dërgimit të kolonëve të parë nga Toka - baza për koloninë në Mars tashmë do të jetë krijuar. Disa anije “Dragon” do të çojnë atje rezerva produktesh ushqimore, module për jetesë, sisteme mbështetëse të jetes dhe mjete robotike për lëvizje në sipërfaqen e Planetit të Kuq.

“Mars One” është një projekt mjaft i rrezikshëm, thotë psikologu rus Juri Bubejev:

- Në çdo rast për njerëzit që deklarojnë se janë të gatshëm të qëndrojnë dhe të mos kthehen më në Tokë, me siguri do të vijë një moment, kur ata do të ndryshojnë mendimin e tyre, ndërkohë që nuk mund të bëhet më asgjë për ta kthyer rrotën e historisë mbrapsh. Jam mëse i bindur se në mendjet e tyre do të ndodhë rivlerësimi i hapit të ndërmarrë që në muajt e parë. Në qoftë se ata do të kenë biletë vetëm vajtje në Mars, Toka do të dëgjojë atëhere shumë të thirrje të kota për ndihmë.

Juri Bubejev kujton se si në eksperimentet e mëparshme me izolim afatgjatë pjesëmarrësve të tij u propozohej të zgjidhnin gjellët e tyre të preferuara me qëllim që të përpilohej prej tyre menuja për 2 vitet e ardhshme. Rezultoi se vetëm një muaj më vonë personave të përfshirë në eksperiment u erdhën në majë të hundës pjatat e tyre të preferuara dhe se kishin nevojë për diçka tjetër. Në izolim njeriut i ndryshojnë jo vetëm shija, preferencat, por edhe vlerësimi i vendimeve të marra. Madje më tepër se kaq - ndryshojnë vetë tiparet e karakterit të individit, vazhdon eksperti:

- Perceptimi i vetë faktit se ata kanë biletë vetëm për një rrugë - vajtje, ndryshon shumë gjëra. Këta do të jenë tashmë njerëz krejtësisht të tjerë nga ata që startuan nga Toka. Në rast të zhvillimit të ngjarjeve sipas skenarit negativ, pamundësia për të korrigjuar situatën në bordin e anijes nga Toka do të çojë në faktin se performanca e misionit të fluturimit do të rreshtë së qeni prioritet.

0Në adresë të kompanisë “Mars One” tashmë kanë ardhur 10.000 email nga persona të interesuar prej 100 vendeve të botës. Me sa duket nga të gjitha ata mund t’i ndalojë vetëm forca madhore - kur kompania nuk do të arrijë të mbledhë dot 6 miliardë $ e nevojshëm dhe si rrjedhojë realizimi i planit do të dështojë. Pjesa më e madhe e fondeve shpresohet të përfitohet nga personat e përfshirë në reality show-t televizivë, të cilat presupozohet të vazhdojnë edhe në formën e transmetimeve të drejtpërdrejta nga Marsi.