0Në vetë qytet dhe në rajonet periferike të tij po vazhdojnë aktivitetet operative dhe kërkimore të drejtuara për kapjen e kriminelit të armatosur, i cili qëlloi për vdekje gjashtë persona krejtësisht të pafajshëm.

Krimineli u identifikua tashmë. Ai është banori 32-vjeçar i Bellgorodit, Sergei Pomazun, i dënuar më parë katër herë për krime të ndryshme ordinere. Të hënën paradite ai hapi zjarr me armët e veta në dyqanin “Ohota” (“Gjuetia”) në qendër të qytetit. Më pas vrasësi doli në rrugë dhe vazhdoi zjarrin me armë mbi kalimtarët. Nga plumbat e tij gjetën vdekjen gjashtë persona, duke përfshirë dy vajza të mitura (14 dhe 16 vjeç).

Krimineli arriti të marrë arratinë nga vendi i ngjarjes. Policia gjeti pak më vonë makinën e braktisur të Sergei Pomazun. U morrën tashmë në pyetje të afërmit e personit të shpallur në kërkim si dhe dëshmitarët e tragjedisë, njoftoi Asistentja kryesore e Kryetarit të Komitetit Hetimor të Rusisë për rajonin e Bellgorodit, Elena Kozirjeva:

- U kontrollua prej bashkëpunëtorëve të policisë apartamenti ku jetonte i dyshuari. Gjatë këtij kontrolli u konstatua se kasaforta, në të cilën ruheshin armët e zjarrit, ishte shpërthyer me forcë. Iu nënshtrua gjithashtu kontrollit makina që i përkiste të dyshuarit, domethënë pikërisht automjeti me të cilin ai lëvizte nëpër qytet. Armë në makinën e tij nuk janë gjetur.

Sipas rrëfimeve të dëshmitarëve okularë, Sergei Pomazun mund të ketë me vete një pistoletë me gaz të modelit “IZH-27” (russ. “ИЖ-27”), një karabinë gjysmë-automatike “Verp-308” (russ. “Вепрь-308”) me 40 fishekë për të si dhe një pushkë gjahu “Saiga” (russ. “Сайга). Tani krimineli i armatosur është fshehur diku. Në operacionin për kërkimin dhe arrestimin e tij janë ingranuar ushtarakët e forcave të sigurimit dhe ruajtjes së rendit të gjithë rajonit tëBellgorodit, duke përfshirë bashkëpunëtorët e shërbimeve kufitare dhe doganore. Fotografitë e kriminelit me të gjitha hollësitë e karakteristikat përkatëse janë dërguar edhe në rajone të tjera të vendit si dhe në Ukrainën fqinje. Përveç kësaj, njësi të përforcuara të policisë patrullojnë tani rrugët përreth institucioneve arsimore të fëmijëve.

Qytetarët bashkëpunojnë në mënyrë mjaft aktive me policinë. Zyrat e shërbimit të oficerit të rojes (dezhurnit) të policisë dhe linja telefonike e Besimit (hotline) marrin vazhdimisht thirrje me informacion mbi vendndodhjen e njerëzve të ngjashëm përkatësisht shenjave dalluese me të dyshuarin. Për fat të keq, tani për tani krimineli nuk është gjetur.

Ndërkohë, banorët e qytetit vazhdojnë të vijnë në vendin e ngjarjes tragjike dhe vendosin lule, qirinj e lodra prej pellushi. Kjo është një tragjedi e tmerrshme, mënxyrë e pandreqshme që pllakosi mbi shtëpinë tonë të përbashkët, tha Guvernatori i rajonit të Bellgorodit, Eugjeni Savçenko, në mesazhin e tij drejtuar bashkëqytetarëve të vet:

- Unë dua t’i shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjarëve dhe të afërmve të viktimave. Nga ana jonë do të marrim të gjitha masat në mënyrë që t’ua lehtësojmë sa mundemi dhimbjen e shpirtit atyre. Të gjitha shpenzimet materiale, që lidhen me funeralin, ne do t’i marrim mbi vete dhe do t’u japë mbështetjen e nevojshme financiare. Edhe pse unë e kuptoj për mrekulli se kurrfarë mbështetje financiare nuk mund t’u kompensojë atyre humbjen e njerëzve më të shtrenjtë.

023 dhe 24 prilli janë shpallur ditë zie në Bellgorod në nderim të kujtimit të viktimave të aktit monstruoz kriminal.