0Koreja e Veriut mund të realizojë lëshimin provë të raketës balistike tashmë më 25 prill, mendojnë në Ministrinë e Mbrojtjes të Koresë së Jugut. Kjo është dita e themelimit të Ushtrisë Popullore Koreane. Përmendet gjithashtu data 30 prill - dita e fundit e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake në shkallë të gjerë të Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara. Si një tjetër datë e mundshme e lëshimit të raketës mendohet të jetë 27 korriku. Kjo është dita e nënshkrimit të Marrëveshjes së Armëpushimit në Luftën e Koresë të viteve 1950-1953.

Këto parashikime janë shumë të ngjashme me hedhjen fall me filxhan kafeje, thotë eksperti rus për çështjet e Gadishullit Korean, Georgi Tolloraja:

- Me sa duket nga të gjitha, ekspertët e Koresë së Jugut japin versione të lidhura thjesht me gjithfarë datash të shënuara për Korenë e Veriut. Unë nuk mendoj se problemi konsiston në këto data. Koreja e Veriut është e gatshme për realizimin e testeve të raketave në çdo kohë. E gjithë çështja qëndron në situatën politike. Në qoftë se Koreja e Veriut do të mund të arrijë në ndonjë farë dialogu me Shtetet e Bashkuara, atëhere teste raketore nuk do të ketë. Nëse nuk do të vendoset dialogu - prova raketore do të realizohet medoemos. Me shumë gjasa, nga një logjikë e tillë udhëhiqet në veprimet e veta Pheniani.

Ndërkohë Koreja e Veriut ka ridislokuar dy komplekse të lëvizshme lëshuese me raketa balistike të “Scud” në bregdetin e vet lindor. Ky informacion është raportuar nga burimet e inteligjencës të Koresë së Jugut. Më parë, po sipas njoftimeve të tyre, në bregdetin lindor u hodhën dy raketa me rreze të mesme veprimi “Musudan” dhe shtatë sisteme mobile lëshimi të tyre . Ekspertët ushtarakë nuk e përjashtojnë mundësinë që testimi i “Musudan-ëve” të përfundojë me dështim. Dhe atëhere Pheniani do të ndërmarrë lëshimin e raketave të tipit “Scud” dhe “Nodon”.

Seuli dhe Uashingtoni e paralajmëruan Phenianin se kërcënimet e reja me raketa “do të ushtrojnë një ndikim mjaft negativ mbi regjimin komunist”. Kjo deklaratë u bë në fund të vizitës së Kryetarit të Komitetit të shefave të shtabeve të Forcave të Armatosura të SHBA-së, Martin Dempsey, në Seul. Të hënën ai po zhvillon konsultime në Pekin në lidhje me situatën në Gadishullin Korean.

Pritet që vemendje kryesore t’u kushtohet në to bisedimeve të ardhshme kinezo-koreanoveriore. Në prag Pheniani ka pranuar propozimin e Kinës për të filluar dialogun. Në ditët e afërta në Korenë e Veriut mund të mbërrijë përfaqësuesi i posaçëm i qeverisë së Republikës Popullore të Kinës. Misioni i tij është shumë i rëndësishëm për normalizimin e situatës në rajon, tha analisti politik rus Vladimir Jevsejev.

0Më parë Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov deklaroi se Moska po përpiqet me insistim të madh të bindë Korenë e Veriut që të përmbushë në mënyrë rigoroze rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të cilat imponojnë moratoriumin mbi çdo aktivitet raketoro-bërthamor, dhe i bën thirrje Phenianit të përmbahet nga çfarëdo hapash që mund të provokojnë një konflikt ushtarak në Azinë Verilindore.