0Makina e varrimit (katafalku) mbërriti para Tempullit kryesor të Anglisë - Katedrales së Shën Palit - rreth orës njëmbëdhjetë me kohën e Londrës. Procesioni funeral ndaloi për t’i bërë nderimet e fundit kujtimit të Lady Thatcher nën shoqërimin e tingujve të Big Ben-it. Arkivoli i saj, sipas traditës, ishte i mbuluar me flamurin britanik. Mbi të qe vendosur një kurorë me trëndafila të bardhë me një shirit, në të cilin ishin shkruar fjalët e lamtumirës nga fëmijët: “E dashur nënë, ti do të mbetesh përherë e gjallë në zemrat tona”.

Arkivoli u soll në Katedrale i shoqëruar nga truproja e nderit. Në kishë ishin mbledhur të gjithë ata që dëshironin t’i jepnin lamtumirën e fundit “Zonjës së Hekurt”. Mbretëresha Elizabeth erdhi më herët në kishë dhe zuri vendin e nderit në radhën e parë.

Shërbimi i përshpirtjes në Katedralen e Shën Palit u ndoq gjithashtu nga Ministri i Jashtëm britanik, William Hague, ish-Kryeministri John Major, Kryetari i Bashkisë së Londrës, Boris Johnson, prezantuesi i njohur televiziv Jeremy Clarkson, kompozitori Andrew Lloyd Webber. Kryeministri aktual David Cameron mbërriti në Tempull kur shërbimi fetar tashmë kishte filluar. Përveç kësaj, ashtu siç e pat lënë amanet vetë Thatcher, në të ishin ftuar anëtarët e Kabinetit të saj të ministrave, Presidentët e kohës së saj që jetojnë aktualisht, partnerët e huaj.

Pasi e kënduan të ndjerën në kishë procesioni funeral u drejtua për në Spitalin Royal në Chelsea, ku prehet hiri i bashkëshortit të Thatcher. Në spital trupin e “Zonjës së Hekurt” e kremuan - procedura e djegies së kufomës u zhvilluan vetëm në prezencën e të afërmve dhe miqve më të ngushtë. Në shenjë zie në të gjithë vendin flamujt shtetërorë u ulën në gjysmë shtize, kurse ora e kullës Big Ben në godinën e Parlamentit ra në heshtje.

Duhet thënë se jo çdo gjë shkoi sipas skenarit të shkruar nga baronesha. Në rrugë, para Katedrales së Shën Palit, dhjetëra kundërshtarë të politikës së Margaret Thatcher u kthyen me kurriz nga arkivoli. Disa britanikë mbanin në duar pankarta me slogane të ashpra, nga turma dëgjoheshin britma. I hodhi benzinë zjarrit edhe informacioni në lidhje me shpenzimet e ceremonisë së varrimit - 6.000.000 £. Në mbishkrimin e një prej pllakateve lexohej: “Unë nuk dua të paguaj për varrimin e Margaret Thatcher”. Politika e “Zonjës së Hekurt” në Britaninë e Madhe është vlerësuar gjithmonë në mënyrë jo të njëtrajtshme. Përse autoritetet e vendit vendosën t’i organizojnë asaj një ceremoni të tillë kaq të kushtueshme lamtumire, e cila është vetëm një shkallë më e ulët se sa ajo e personave të familjes mbretërore? Sepse Thatcher ishte me të vërtetë një Kryeministre e madhe, shprehet me bindje të plotë Doktorja e shkencave historike, Natalia Kapitonova:

- Në kapërcyell të shekullit 21 në Britaninë e Madhe u krye një sondazh serioz midis historianëve dhe politikanëve kryesorë. Në bazë të rezultateve të tij u përpilua rejtingu i kryeministrave të shekullit të 20-të. Në këtë vlerësim Margaret Thatcher u pozicionua në vendin e tretë nga njëzet gjithsej. Vendin e parë e zuri Winston Churchill, të dytin - David Lloyd George. Kjo është një arritje e mahnitshme, impresionuese. Ajo ishte me të vërtetë një Kryeministre e madhe.

0Pas kremimit hiri i Margaret Thatcher do të varroset në varrezat e Spitalit Royal në Chelsea - pranë varrit të bashkëshortit të saj, industrialistit Denis Thatcher.