0Ndërkaq shpërthimi në Boston nuk është klasifikuar zyrtarisht si sulm terrorist. Por pas një briefing-u për Kongresin, i cili u mbajt nga përfaqësuesit e shërbimeve speciale, si senatorët, ashtu dhe kongresmenët thonë fare haptas se ai është vepër makabre e terroristëve. Në mëngjesin e ditës së martë, më 16 prill, administrata duhet të informojë zyrtarisht Kongresin për rezultatet e para të hetimit.

Galeria fotografike: Shpërthimet në Boston

Në zonën e shpërthimit u zbuluan edhe disa bomba të tjera. Ato i çaktivizuan tashmë. Zyra e FBI në Boston po kryen kontrolle e bastisje dhe e kualifikon ngjarjen e ndodhur “shpërthim të dyshuar si sulm terrorist”.

Presidenti amerikan Barack Obama doli me një deklaratë të posaçme. Ai njoftoi se ka urdhëruar mobilizimin e të gjitha rezervave federale për garantimin e sigurisë së qytetarëve të vendit. Obama zhvilloi një takim me drejtorët e CIA-s dhe FBI.

- Ne nuk e dimë ende se kush dhe pse e bëri këtë. Nuk duhen nxjerrë kurrsesi përfundime të nxituara për sa kohë që nuk do të bëhen të ditura të gjitha faktet. Por askush nuk duhet të ketë pikë dyshimi: ne do të hetojmë dhe do ta zbardhim gjithë ngjarjen. Dhe të gjitha grupet përgjegjëse apo individë të veçantë do të provojnë mbi vete peshën dhe potencën e ligjit.

Si gjithmonë, çështja kryesore gjatë kryerjes së çdo akti terrorist është të sqarohet: kush mund ta këtë bërë këtë? Deri tani asnjë nga grupet terroriste nuk e ka marrë mbi vete përgjegjësinë.

Shërbimi i Inteligjencës i SHBA-së gjithashtu nuk ka marrë asnjë informacion që të mund të dëshmojë mbi përgatitjen e aktit terrorist në Boston. Për këtë njoftoi Kryetarja e Komitetit të Zbulimit në Senatin amerikan, Dianne Feinstein.

Disa ekspertë amerikanë për çështjen e terrorizmit argumentojnë se sulmet terroriste të Bostonit mund të jenë vepër makabre e duarve të pasuesve lokalë të “Al-Qaeda-s”. Stili i organizimit të sulmeve terroriste, thonë ata, është shumë i ngjashëm me mënyrën e veprimit të “Al-Qaeda”. Por, në të njëjtën kohë, si objektiv u zgjodh një aktivitet social dhe jo ndonjë dikaster qeveritar i SHBA-së. Ndërsa pikërisht ato kanë qenë gjithmonë në shënjestër të “Al-Qaeda-s”. “E gjithë kjo është fort e ngjashme me veprimin e ekstremistëve islamistë lokalë”, deklaroi për gazetën “The Los Angeles Times” një nga përfaqësuesit e agjencive anti-terroriste amerikane.

Ndërkohë, mijëra kilometra larg SHBA-së policia britanike ka bërë të ditur se në Londër, në kohën e maratonës së pritshme të dielën e ardhshme, do të merren masa serioze të përforcuara sigurie. Maratona e Londrës tërheq gjithashtu dhjetëra mijëra atletë dhe qindra e mijëra spektatorë. Evenimenti sportiv do të mbahet pavarësisht nga gjithfarë rreziqesh kërcënuese, tha Drejtori Ekzekutiv i Maratonës së Londrës, Nick Bitel (London Marathon chief exekutiv):

- Maratona e Londrës ka plane të detajuara të garantimit të sigurisë, të cilat janë përpunuar në bashkëpunim me policinë. Tani ne, natyrisht, duhet të marrim parasysh atë që ndodhi në Boston, të rishikojmë disa nga masat e sigurisë dhe t’i rreptësojmë suplementarisht ato.

0Maratona e Londrës këtë vit do të zhvillohet më 21 prill. Ajo mbahet rregullisht që nga viti 1981. Vitin e kaluar në maratonë u përfshinë gati 36.000 vetë.