0Ata kërkojnë rinumërimin e votave, duke pretenduar se votimi ishte i manipuluar.

“Marshimet e tenxhereve” në Amerikën Latine kanë pasur gjithmonë një karakter thjesht ekonomik. Me ndihmën e enëve njerëzit kanë shprehur pakënaqësinë e vet nga çmimet në rritje dhe rrogat e vogla. Ndërsa në Venezuelë ato kanë marrë një ngjyrim ekskluzivisht politik. Dhe të gjithë shpresojnë shumë se tenxheret do të jenë gjëja më e rëndë, me të cilën ka ndërmend të gjëmojë e zhurmojë opozita.

Në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme presidenciale të 14 prillit në Venezuelë fitoren e korri Nicolas Maduro me një diferencë prej 1.5% të votave nga rivali i tij kryesor - përfaqësuesi i Bllokut të Bashkimit Demokratik Henrique Capriles. Ky i fundit kërkoi menjëherë një kontroll të plotë të votave. Edhe pse vetë Maduro nuk e kundërshton këtë gjë, shpresa se në Venezuelë do të ndërmerret rinumërimi i votave nuk ka praktikisht fare. Këshilli Kombëtar Zgjedhor është tërësisht nën kontrollin e autoriteteve. Dhe, përveç kësaj, ai e shpalli tashmë fitues Nicolas Maduro.

Në Uashington e mbështesin plotësisht opozitën e krahut të djathtë dhe rinumërimin e votave. Deri sa të mos bëhet kjo, SHBA-ja nuk do t’i njohë rezultatet e zgjedhjeve, deklaroi Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Patrick Ventrell (Acting Deputy Spokesperson).

- Ne kemi dëshiruar të shohim zgjedhje të lira dhe të ndershme në Venezuelë. Por tani ne bëjmë thirrje për një rinumërim të votave. Ne besojmë se kjo duhet të ndodhë.

Ndërkohë, fitoren e presidentit të ri të Venezuelës tashmë e kanë njohur vendet kryesore fqinje në kontinent. Presidentja e Brazilit, Dilma Vana Rousseff, i telefonoi Maduro-s dhe e uroi me atë rastin e zgjedhjes. Ajo shprehu “gatishmërinë për të punuar me udhëheqjen e re të Venezuelës”. Po kështu veproi edhe Kolumbia. Zgjedhjet presidenciale në Venezuelë janë konsideruar si të lira dhe të ndershme nga vëzhguesit e Bashkimit të Kombeve të Amerikës së Jugut (UNASUR). Organizata në fjalë bashkon në radhët e veta 12 shtetet kryesore të rajonit, duke përfshirë edhe Argjentinën, Brazilin, Kilin, Bolivinë, Perunë, Ekuadorin.

Në këto zgjedhje ishin të pranishëm dhe tre vëzhgues nga Rusia. “Ne nuk kemi parë kurrfarë shkeljesh”, - tha në një intervistë me Radiokompaninë “Zëri i Rusisë” Sekretari i KQZ-së ruse Nikollai Konkin:

- Procesi i votimit ishte në përputhje të plotë me ligjet aktualisht vepruese në Venezuelë.

0Pothuajse të gjithë ekspertët janë mëse të bindur se rinumërimi i votave nuk do të bëhet. Por zgjedhjet treguan megjithatë se vendi është i ndarë në dy gjysma krejtësisht të barabarta - në mbështetësit dhe kundërshtarët e Nicolas Maduro. Dhe në një situatë të tillë Presidenti i ri do ta ketë shumë të vështirë drejtimin e vendit.